Kompromis me të cilin Maqedоnia do të hynte në NATO si IRJM do të paraqiste investim në zgjidhjen e mëtutjeshme të kontestit me emrin. Maqedonia është pa paragjykime ndaj fqinjëve të saj, nuk duam më shumë të provokojmë, por të dërgojmë sinjale pozitive, janë një pjesë e mesazheve të ministrit të Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov në intervistën për Di Prese.

Është e mundur që Maqedonia të hyjë në NATO me emër provizor si IRJM (Ish-republika jugosllave e Maqedonisë).

– Është e mundur, nëse dakordohet Greqia, edhe pse IRJM tingëllon si Klingon nga Star Treku. Kompromisi i tillë do të paraqiste investim në zgjidhjen e mëtutjeshme të kontestit me emrin. Do të japim gjithçka nga vetja që t’i bindim grekët se është edhe në interes të tyrin.

Qeveria juaj ka vendosur si qëllim që Maqedonia të qaset drejt NATO-s dhe BE-së. Greqia me vite kundërshtohet, për shkak se nuk pranon që vendi të quhet Maqedoni, sikur edhe provinca veriore greke. Si do ta zotëroni bllokadën?

Vizita ime e parë zyrtare jashtë vendit ishte në Athinë. Mesazhi ishte: vendi ka marrë shans të dytë që të ndërtojë demokraci evropiane. Mendoni, a do t’i mbështesni këto orvatje ose jo, sepse, me bllokim të së ardhmes tonë në BE dhe NATO, Maqedonia nuk do të bëhet më konstruktive.

A e kuptoi ministri grek i Punëve të Jashtme, Nikos Koxias mesazhin?

– Nuk do të heq dorë asnjëherë nga bindjet në qëllimet tona miqësore. Koxias do të na vizitojë në gusht. Maqedonia është pa paragjykime ndaj fqinjëve të saj. Fundjavën e kaluar isha në Bullgari dhe me kolegen biseduam për marrëveshje për fqinjësi të mirë që duhet të nënshkruhet në fillim të gushtit. Nuk duam më të provokojmë, por të dërgojmë sinjale pozitive.

Ka qenë gabim që të provokohet Greqia, duke vendosur përmendore të madhe të Aleksandrit të Madh në zemër të Shkupit?

Nuk do të vendosim më përmendore, kemi mjaft. Nuk na duhen buste që të jemi maqedonas krenarë. Jemi rritur.

Për zgjidhjen eventuale për kontestin me emrin dëshironi të mbani referendum. Nuk rrezikoni me atë polarizim të ri të vendit?

– Të gjitha partitë janë dakord me këtë referendum. Na nevojitet konsensus i partive të mëdha në Maqedoni. Nuk kemi arritur deri aty me opozitën aktuale, e cila, derisa ishte në pushtet, e robëroi shtetin. Duhet të arrijmë progres, por, pa e ndarë me këtë rast shtetin.

Cili është roli i BE-së këtu?

– Evropa duhet të shqyrtojë se investimi është i madh. Rajoni nuk është vend shumë i sigurt dhe i lumtur. Evropa nuk mund të vazhdojë të sillet si edhe deri tani, të flasë për zgjerim, ndërsa njëkohësisht të frikësohet që këtë ta tregojë para votuesve personal. Duhet të shpejtojmë që ta përfundojmë punën në Ballkan.

Pse?

– Koncepti pas përfundimit të luftërave jugosllave ishte, të konfirmohen kufijtë dhe vendet të inkuadrohen në BE. Por, procesi inkuadrues shumë u ngadalësua dhe tani u përngjan shkallëve që nuk çojnë askund. Vendet-anëtare të BE-së e humbën besimin se ky proces me të vërtetë e ndryshon Ballkanin Perëndimor: shikojnë korrupsion, ulje të demokracisë dhe shtypje të lirisë së mediave. Kjo e përforcon skepticizmin. Ndërsa në të njëjtën kohë gjeopolitika kthehet në Ballkan.

Çfarë mendoni me këtë? Kthim të Rusisë?

– Ekzistojnë forca që shikojnë mundësi që ta vendosin në pikëpyetje rregullimin postjugosllav pasluftarak. Ndërsa nëse në Ballkan diçka nuk shkon sipas planit, njerëzit sërish fillojnë të flasin për kufijtë. Problemi me problemet është në atë se ato zgjerohen. Evropa duhet të fillojë t’i zgjidhë problemet.

Vallë përzierja e Rusisë në rajon do të thotë urgjencë e re e ambicieve të Maqedonisë për anëtarësim në NATO?

– Unë nuk i dua këto qëndrime “ose – ose”. Qytetarët e Maqedonisë duhet vetë të vendosin se nëse dëshirojnë anëtarësim në NATO. Ne përpiqemi që nga viti 1993, 71 për qind e popullatës janë për këtë.

Vallë Evropa gjatë kohë mbyllte sy sepse ishte e përfshirë me krizën personale?

– Evropa ballafaqohet me krizë ekzistenciale. Por, Evropa nuk guxon të fundoset në melankoli. Lord Robertson, ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s tha: “Nëse nuk mundesh njëkohësisht të kalërosh dy kuaj, atëherë çfarë kërkon në cirk”? Evropa duhet të fillojë sërish të mendojë në korniza më të gjera. Nëse ekziston rajon në të cilin mund të bëhet dallim, atëherë ai është Ballkani.

Vallë disa qeveri në Evropë ishin tejet të butë në raportin ndaj ish-kryeministrit Gruevski?

– Evropa duhet t’i thotë gjërat hapur, nëse dëshiron të ketë ndikim në rajon. Në rast të shkeljeve të mëdha të demokracisë, Evropa duhet publikisht të thotë “faul!”. Këtë e them edhe si ministër i Punëve të Jashtme: Nëse gaboni diçka, na e thoni këtë publikisht.

Ministri austriak i Punëve të Jashtme mori pjesë në tubimin parazgjedhor të partisë së Gruevski.

– Nuk është gjë shumë e mençur, unë si ministër i Punëve të Jashtme, të jap përgjigje tejet të hapur. Mundem vetëm të them se nuk ekziston dihotomi midis stabilitetit dhe demokracisë. Ndërsa Maqedonia është shembulli më i mirë për këtë. Nëse një shtet nuk është demokraci me institucione të pavarura, asnjëherë nuk do të jetë stabil.

Ish-kryeministrit Gruevski nuk i është lejuar ta braktisë Maqedoninë. Çfarë e pret?

– Në Maqedoni ekziston etje e madhe për drejtësi. Bëhet fjalë për padrejtësi të dukshme: të gjithë jemi të njohur me bisedimet nga përgjimet ilegale. Me mosndëshkim dërgohet mesazh i tmerrshëm. Kjo do të thotë se një njeri për çfarëdo gjëje mund të kalojë pa ndëshkim, derisa është mjaft i fuqishëm. Por, kjo nuk është punë e Qeverisë, për këtë duhet të vendosin gjykatësit.

Nëse nuk angazhoheni për pajtim, do ta thelloni hendekun në Maqedoni.

– Pajtimi duhet të bazohet në parime dhe përgjegjësi. Në Maqedoni shumë gjëra fshiheshin nën tapet, kështu që atje tani u paraqit mal i vogël. Na nevojiten institucione të fuqishme, gjyqësi të pavarur dhe media të lira, që të jemi shtet stabil. Ky është mësim i madh për Maqedoninë nga kriza paraprake shtetërore.