Nëse Greqia nuk e bllokon Maqedoninë për të hyrë në NATO me referencën e përkohshme, do të krijohet një klimë shumë e mirë për zgjedhjen e çështjes së emrit, tha ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, në një intervisë për televizionin N1.

Dimitrovi pranoi se ky proces nuk do të jetë i lehtë, duke thënë se nuk mund të pritet zgjidhje  brenda natës për një problem që po zgjat për shumë vite. Dimitrov shtoi se deri më tani, Greqia nuk ka shafqur gatishmëri për të pranuar Maqedoninë në NATO nën referencën e përkohshme, por theksoi se do të vazhdojë që edhe në të ardhmen të kërkojë këtë nga fqinji jugor, nëpërmjet mesazheve pozitive.

“Maqedonia që unë përfaqësoj është më e pjekur. Neve nuk na duhen qindra përmendore në shesh në Shkup, që të jemi maqedonas krenar. Kjo Maqedoni ju qaset fqinjëve të saj pa paragjykime dhe pa frikë. Duhet të punojmë edhe në planin e brendshëm, për shkak se kjo është një çështje tejet e rëndësishme për identitetin maqedonas dhe mendoj se këtë nuk ka nevojë ta theksoj”, tha mes tjerash ministri i jashtëm Dimitrov, duke shtaur se është e nevojshme që të krijohet bashkëpunim mes të gjithë aktorëve kyç politik dhe të arrihet një konsensus nacional.