Gabriel Omar Batistuta është sot 48 vjeç dhe shumë prej viteve të jetës së tij i ka shpenzuar në fushat e futbollit duke pushtuar zemrat e tifozëve të skuadrave ku ka luajtur, por edhe ato të kundërshtarëve, sepse gola të caktuar nuk mund të kalonin pa marrë duartrokitjen e të gjithëve.

“Batigol”, golashënuesi i dytë më i mirë i kombëtares së Argjentinës me 56 gola në 78 ndeshje, sot ka vështirësi edhe në të ecur.

“E vërtetë është. Ky është rezultati i punës së pallogaritur në stërvitje. Nuk jam tërhequr kurrë pas dhe kam dhënë gjithmonë maksimumin, edhe kur ndihesha keq. Një gjë është e sigurt; kam dhënë më shumë se ajo që duhet dhe mund të jepja”, thotë argjentinasi.

“Rekordi i golashënuesi më i mirë i kombëtares së Argjentinës ka qenë gjithmonë në zemrën time, por e dija që një ditë Messi do të ma kalonte. Ajo që nuk kisha parashikuar ishte që ta bënte kaq shpejt”, shtoi ish-bomberi i Fiorentinës, Romës dhe Interit.

Fitorja e fundit në një trofe ndërkombëtar për Argjentinën mban ende firmën e Batistutës. Heroi, në fillim i Firenze dhe pastaj në Romë, shënoi një nga dy golat me të cilat çelestët fituan ndaj Meksikës në finalen e Kupës së Amerikës në vitin 1993.

“E pabesueshme është që nga ajo ditë nuk kemi fituar asnjë trofe. Argjentina gjithmonë ka pasur qendërsulmues të fortë, si Aguero apo Higuain. Argjentina ka humbur tre finale në veprimtaritë madhore, ku mendoj se nuk ka pasur fat. Në finalen e Kupës së Botës kundër Gjermanisë, Higuain krijoi nga hiçi një rast ideal për të vendosur ndeshje, por e gaboi dhe prandaj them se në futboll vendos edhe fati”, tha ai.

Më pas, Batistuta shtoi: “Dikur thashë se futbolli nuk më pëlqente. Këtë e bëra vetëm për t’u mbrojtur, për të larguar presionin nga shtypi dhe tifozët.

Ishte një mashtrim i madh. Eshtë e vërtetë se kur isha i vogël kisha pasione të tjera, por më pas futbolli pushtoi jetën time. Nisi të më pëlqejë dhe u bë profesioni im. Në të vërtetë edhe tani jam i dashuruar me këtë sport.

Më pëlqen taktika, stërvitjet dhe ndeshjet. Erdha në pikën që vura në rrezik shëndetin tim për këtë. Nuk mendoj se duhet të shkoj gjëra të tjera kur them se i kam thënë jetën futbollit”.