Rreth 19 përfaqësi diplomatike të Maqedonisë në botë janë pa ambasador ose konsull. Këtë e konfirmoi sot ministri i jashtëm Nikolla Dimitrov sipas të cilit, procedura për plotësimin e këtyre vendeve tashmë ka filluar.

Në njëfarë mënyre me krizën Maqedonia ngeci në vend si shtet dhe ne trashëguam një situate të vështirë me rreth, nëse nuk gabohem, 19 vende boshe për shefat përfaqësive diplomatike konsullore. Kemi pasur disa takime për këtë temë me Presidentin Ivanov. Me gjasë do të jetë e vështirë që përnjëherë të plotësohen të gjitha vendet dhe kjo punë do të shkojë me faza. Vetë procedura shkon në pajtim edhe me vendet ku do të jenë të akredituar ata ambasador  kështu që kjo nuk do të mund të përfundojë brenda natës. Paraprakisht kemi pasur një praktikë shumë të çuditshme të konkurseve që është në kundërshtim me rregullat për ambasadorët e karrierës kështu që këtu kemi një sfidë të madhe. Kjo është pyetje me prioritet të lartë– deklaroi minister i Jashtëm Nikolla Dimitrov.

Alsat disa herë ka ngritur shqetësimin për mos-emërimin e ambasadorëve, në përfaqësitë ku sipas ndarjes jozyrtare të kulaçit të pushtetit të kaluar mes partnerëve të koalicionit të mëparshëm VMRO-DPMNE dhe BDI, shumë prej tyre duhet të ishin shqiptar. Mungesa e ambasadorëve në shumë vende të rëndësishme të botës dhe për shumë vite, është kritikuar nga ekspertët sipas të cilëve, në këtë formë dëmtohet imazhi i vendit.

 Përfaqësitë diplomatike pa ambasador

Sarajevë – pa ambasador
Bern – pa ambasador
Xhenevë – pa ambasador
Varshavë – pa ambasador
Norvegji – pa ambasador
Katar- pa ambasador
Francë – pa ambasador 

Ish Minstri Nikolla Popovski disa here kishte premtuar zgjidhjen e problemit me mos-emërimin e ambasadorëve dhe kishte kërkuar që çështjes të mos i vishet konotacion etnik. Megjithatë nga BDI-ja pretendonin se mos-emërimi i ambasadorëve shqiptarë ndodhte përshkak të mos-dekretimit të tyre nga ana e presidentit Gjorge Ivanov përshkak se partia e Ahmetit nuk njihte legjitimitetin e Ivanovit. Nga Kabineti i Presidentit e kishin përgënjeshtruar këtë duke thënë se deri te ato nuk është propozuar asnjë kandidat./alsat