Prej nesër do të fillojë sigurimi fizik prej 24 orëve në deponinë e Strugës e cila edhe sot lëshon tym duke e ndotur në këtë mënyrë qytetin. Për mbrojtjen e saj do të kujdeset një kompani private e sigurimit. Njëkohësisht, në deponi do të vendosen drita. Por, qytetarët janë të lodhur nga pritja që organet shtetërore ta shuajnë zjarrin e deponisë. 

Nga LSDM-ja në Strugë sot njoftuan se problemi do të zgjidhet me bartjen e mbeturinave në deponinë Drislla në Shkup.

“Fondet financiare janë siguruar. Tani ngel të kalojë procedura për sigurim që të fillojnë me punë – tha Jovan Mitreski – deputet i LSDM-së.

Në përpjekjen që të zgjidhet problemi ekologjik në Strugë, pushteti qendror planifikon që lokacioni për deponinë e re të jetë në komunën e pastër ekologjike të Debarcës. Por, pushteti i atjeshëm lokal ka kundërshtuar këtë vendim. Alsat jozyrtarisht mëson se për momentin po punohet në ndryshimet ligjore me të cilat qeveria dhe Ministria e Ambientit planifikojnë t’ua marrin kompetencat komunave kur bëhet fjalë për përcaktimin e lokacioneve për ndërtimin e deponive rajonale. Deri më tani planet e këtilla nuk mund të realizoheshin për shkak se patjetër duhej të kishte pajtim nga komunat e përfshira./alsat-m