Nga deponia e Strugës edhe sot përhapet tymi, edhe pse është me intenzitet më të ulët prej ditëve të kaluara. Jozyrtarisht sigurimi fizik prej 24 orëve në deponi i njoftuar një ditë më parë nga Qeveria do të realizohet nga java e ardhshme.

Në ndërkohë do të fillojnë aktivitete për furnizim me dy kontejnerë të mëdhenj shtypës, mjet ngarkimi, dhe një kamion për bartjen e kontejnerëve të cilët më pas do të dërgohen në deponinë Drislla në Shkup deri në ndërtimin e deponisë rajonale që parashihet të ndërtohet në fshatin Godivje në komunën e Debërcës.

Ndërtimin e saj tani për tani e kontestojnë banorët dhe autoritetet lokale në Debërc. Ministria e Financave dhe sekretariati i përgjithshëm i qeverisë kanë marrë obligim të sigurojnë mjete financiare me të cilat duhet të sigurohen kushte për transportin e sigurtë dhe ekonomik të mbeturinave nga deponia e Strugës deri tek deponitë tjera të sigurta në Maqedoni, por edhe se në vijim e sipër është angazhimi i personave për sigurim dhe mbikëqyrje të lokacionit, për të parandaluar probleme të mundshme në të ardhmen.

Pas lajmit të publikuar në Alsat një ditë më parë, rruga që të çon tek deponia menjëherë është pastruar prej mbeturinave. Paralelisht me këto aktivitete, në Strugë është formuar nisma e re qytetare “Struganët për Strugën”  të cilët nëpërmjet rrjeteve sociale kërkuan nga qeveria dhe ministritë, shuarjen e zjarrit dhe gjetjen e një zgjidhje afatgjate. Prej atje thonë se nëse deri më 1 gusht nuk shuhen zjarret në deponi dhe e njëjta pas kësaj date vazhdon të tymos, nisma “Struganët për Strugë” do të ndërmarrin masa radikale për mbrojtjen e shëndetit, ambientit dhe imazhit turistik të Strugës.