Drejtësia italiane ka dhënë dënimet për pjesëtarët e një organizate droge, që trafikonin kokainë nga Shqipëria drejt Italisë.

Hetimet e “Guardia di Financa-s”, të nisura më vitin 2013, kanë faktuar se në krye të këtij trafiku qëndronte shqiptari Rigent Borakaj, i thirrur Genti. Ai kishte lidhje të drejtpërdrejtë me një anëtar të një organizate në Vlorë, që e furnizonte me kokainë e lëndë të tjera narkotike.

Droga, pasi mbërrinte në Itali, trafikohej në territorin e komunës së Chiavari dhe në rrethinat e provincës së Xhenovas. Kokaina shitej për 50-60 euro grami.

Kreu i grupit të kokainës Rigent Borakaj, 30 vjeç, u dënua një ditë më parë nga Gjykata e Genova-s me 11 vjet burg, raportojnë mediat lokale.

Bashkëpunëtori i tij, 30-vjeçari Konjoni Zija, i thirrur Ani, u dënua me 8 vjet burg. Ndërsa anëtari tjetër i grupit, italiani Giancarlo Perrone, 51 vjeç, u dënua me 6 vjet e 6 muaj burg. Të tre akuzoheshin për trafik droge. Ndërkohë, dy të akuzuar të tjerë janë shpallur të pafajshëm.

Në përgjimet telefonike të kryera nga policia italiane Borakaj lavdërohej se falë drogës kishte mundur të ndërtonte në Shqipëri një shtëpi me vlerë 300 mijë euro si dhe të kishte vënë mënjanë mbi 100 mijë euro.

Në vrazhdën e hetimeve janë vënë në pranga të tjerë shqiptarë si pjesë e grupit.