Debati në Kuvend për shkarkimin e Kryeprokurorit Marko Zvërlevski po vazhdon me dinamikën e njëjtë. Opozita mbron  Zvërlevskin përmes akuzave drejtuar Kryeministrit Zoran Zaev dhe deputetëve të shumicës. VMRO-DPMNE-ja mbetet në qëndrimin se pa kompromis me opozitën, shkarkimi i Kryeprokurorit Publik do të jetë i vështirë.

Ky hap i Kryeministrit tregon qartë brengën e tij për njohurit që Prokuroria i ka për veprat e tij. Me ndërrimin e Kryeprokurorit qëllimi është që të vendoset princip tjetër i punës së Prokurorisë dhe Zoran Zaev të mos përgjigjet për veprën të cilën tashmë e di i gjithë opinioni, pra rasti Mitmarrja-deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së Antonio Milloshovski.

Koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së i bëri thirrje deputetëve opozitarë të reflektojnë në mënyrë konstruktive.

Në interes të qytetarëve dhe të gjithë shoqërisë, sa më parë që ikën ky njeri me qëllim që të fillojnë reformat. Këtë e kërkojnë edhe Këshilli i Prokurorëve Publik edhe raporti i Pribesë, i gjithë komuniteti ndërkombëtarë por edhe opinioni jashtë dhe brenda Maqedonisë. Të mos i pengojmë reformat- deklaroi deputet i LSDM-së Tomisllav Tuntev.

Lëvizja Besa do të votojë shkarkimin e Zëverlevskit pasi sipas saj ai deri më tani ka qenë Prokuror anti-shqiptar. Besa akuzon edhe ministrin e Drejtësisë kuadër i BDI-së për mos përfshirjen e rasteve të montuara kundër shqiptarëve në ekspozenë për shkarkimin e Zvërlevskit.

Do të votojmë shkarkimin e Prokurorit Zvërlevski për shkak të qasjes anti-shqiptare të Prokurorisë së përgjithshme gjatë udhëheqjes së tij. Të gjithë e dimë se viteve të fundit në Maqedoni janë zhvilluar procedua gjyqësore që shqiptarët i konsiderojnë të montuara e që kanë përfunduar me vendime skandaloze ku viktima kanë qenë kryesisht shqiptarët si në rastet Sopoti e Monstra, ndërsa kjo Prokurori ka qenë protagonisti kryesor i procedurave gjyqësore kundër shqiptarëve– tha deputeti i Lëvizjes Besa Fadil Zendeli.

Edhe pse seanca për shkarkimin e Zvërlevskit ishte paraparë të fillojë në ora 11, e njëjta filloi me një orë vonesë. Deri në orën 16, Kuvendi pushoi 3 orë ndërsa punoi vetëm dy. Nga 83 deputetët e paraqitur për fjalë, kanë folur vetëm katër prej tyre. Nëse deri të hënën nuk shkarkohet Zvërlevski, nuk përjashtohet që procesi të shtyhet për në shtator. Në muajin gusht, Kuvendi shkon në pushim vjetor./Alsat-M