Shtëpia e Bardhë të enjten nuk përjashtoi mundësinë që Presidenti Donald Trump t’i vërë veton sanksioneve të reja të Kongresit ndaj Rusisë, Iranit dhe Koresë së Veriut, duke nxitur kritika të ashpra nga ligjvënësit e të dyja partive politike të vendit.

“Ai mund të nënshkruajë sanksionet ashtu siç i ka propozuar kongresi, mund t’i vërë veton, ose mund të negociojë një marrëveshje për sanksione edhe më të ashpra kundër rusëve”, tha Anthony Scaramucci, drejtor i komunikimit në Shtëpinë e Bardhë, në një intervistë për rrjetin CNN.

Madje thjeshtë ideja e vetos shkaktoi reagim të menjëhershëm nga kongresi.

“Unë mendoj se do të ishte një gabim shumë i keq,” i tha Zëri i Amerikës senatori republikan nga Teksasi, John Cornyn. “Do të ishte më mirë nëse ata [zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë] do të punonin me ne për krijimin e legjislacionit për këtë çështje”.

“Projekt-ligji i sanksioneve i jep presidentit një armë më të fortë në diskutimet e tij me [Presidentin Vladimir] Putin,” tha udhëheqësi i demokratëve në Komisionin e Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, Ben Cardin nga Merilendi. “Nëse ai i vë veton projekt-ligjit, kjo do të thotë se ai nuk dëshiron të ketë një dorë më të fortë në diskutimet me zotin Putin”.

“Është e vështirë ta kuptojmë se çfarë del nga Shtëpia e Bardhë,” shtoi senatori Cardin.

“Kongresi ka fuqinë ta anulojë veton”, tha senatori demokrat nga Nju Xhërsi, Bob Menendez.

Udhëheqësi i pakicës në Senat Chuck Schumer hodhi poshtë pohimin “qesharak” të zotit Scaramucci se Presidenti Trump mund të negociojë sanksione edhe më të ashpra kundër Rusisë.

“Edhe unë jam një njujorkez,” tha senatori Schumer duke shtuar, “dhe mund t’i kuptojë idetë jo serioze.”

Dhoma e Përfaqësuesve miratoi projekt-ligjin e sanksioneve të martën me 419 vota pro dhe 3 kundër. Edhe në senat pritet të ketë një mbështetje të ngjashme për këtë projekt-ligji.

Projekt-ligji synon të vendos kosto më të mëdha ekonomike ndaj Moskës, Teheranit dhe Phenianit për një sërë aktivitetesh të këtyre vendeve që kundërshtohen nga Uashingtoni dhe i jep Kongresit fuqinë për të bllokuar çdo masë presidenciale për të pezulluar masat ndëshkuese.

Gjatë negociatave disa javëshe, administrata e Presidentit Trump fillimisht i kundërshtoi këto masa duke i quajtur ato një përpjekje për të kufizuar aftësinë e ekzekutivit për të lehtësuar në mënyrë të njëanshme sanksionet, duke thënë se ato kufizojnë aftësitë e Shteteve të Bashkuara në përpjekjet për të ndryshuar veprimet ruse dhe për të ndërtuar një marrëdhënie më të mirë me Presidentin rus Vladimir Putin.

Shqetësimi për këtë çështje u eliminua në fillim të javës, kur Shtëpia e Bardhë shprehu mbështetjen për projekt-ligjin.

“Presidenti mbështet sanksionet ndaj këtyre vendeve dhe dëshiron të sigurohet që ato të mbeten në fuqi, por në të njëjtën kohë ai dëshiron të sigurohemi që të jemi në gjendje të arrijmë marrëveshje të mira për këto çështje. Këto dy gjëra janë shumë të rëndësishme për presidentin,” u tha gazetarëve të hënën zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders.

Zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov tha të mërkurën se Moska ka të ngjarë të hakmerret kundër Shteteve të Bashkuara nëse sanksionet hyjnë në fuqi.

Sipas mediave shtetërore ruse, Ryabkov paralajmëroi se sanksionet e reja do të eliminojnë çdo shans për përmirësim të marrëdhënieve mes Moskës dhe Uashingtonit. Ai gjithashtu tha se Rusia e kishte paralajmëruar më parë administratën e Presidentit Trump se do të kundërpërgjigjej nëse ligjvënësit amerikanë miratojnë projekt-ligjin për sanksionet.