Nuk kanë të mbaruar historitë e finales së humbur të Champions League për Juventusin. Thashethemet për sherre në pushimin e ndeshjes së fituar nga Real Madrid kanë marrë më tepër zjarr pas largimit të Dani Alves dhe shitjes së Leonardo Bonuccit te Milan. Pas zërave për një grindje midis të dyve, dalë pas një interviste të rremë të Mario Mandzukic, mbrojtësi brazilian përgënjeshtron gjithçka në Twitter, në profilin zyrtar të ESPN Deportes që fliste për sherrin.

“Gënjeshtra. Për informacion, kemi qenë bashkë duke vuajtur e folur për humbjen deri në gjashtë të mëngjesit. Mos hidhni m… nëse nuk e dini se çfarë ka ndodhur”, shkruan braziliani. Më pas, Bonucci i bën retweet komentit të Dani Alves.

Një ditë më parë ishte Mandzukic që mohoi intervistën ku kishte folur për sherr mes Alves e Bonuccit. “Unë gjërat i them në sy”, shkruan kroati, duke përgënjeshtruar historinë e sherrit.