Lidhur me qëndrimin e këshilltarëve të LSI-së në Këshillin Bashkiak të Tiranës, të cilët deklaruan se nuk do të votonin propozimin për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm nëse nuk rishikohet draft projekti, ka reaguar edhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi.

Përmes një statusi në profilin e saj në ‘Facebook’, Kryemadhi thotë se më shumë ka rëndësi që të ketë një opozitë të fortë dhe që interesohet për hallet e qytetarëve, sesa aksionet politike apo interesat partiake.

Po ashtu, Kryemadhi ka bërë me dije se ky është qëndrimi i LSI-së dhe këtë qëndrim do ta mbajë deri në fund.

“Përgëzoj sot për kurajon dhe vendosmërinë grupin e këshilltarëve të LSI-së në Bashkinë e Tiranës. 

Më shumë se çdo aksion politik, sot është e rëndësishme të ravijëzohet një opozitë e vërtetë dhe konstruktive, pa kompromise dhe interesa të mëdha a të vogla. Shqipëria sot ka nevojë për një opozitë që lufton dhe përpiqet për qytetarët dhe jo për partitë politike. Këshilltarët e LSI-së treguan sot se më shumë se kartoni dhe karriget në këshill ka rëndësi shërbimi ndaj qytetarëve, se më shumë se opinioni i grupeve të ngushta të interesit është parësor shërbimi ndaj qytetarëve. Ky është dhe do të mbetet qendrimi yne!”, -shkruan Kryemadhi.

Me kërkesë të këshilltarëve të LSI-së në Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj dha sqarime ditën e sotme në lidhje me propozimin për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm.

Por, këshilltarët e LSI-së sqaruan se nuk do të votojnë këtë nismë nëse më parë nuk hartohet një plan për rimbursimin e familjeve të varfëra, dhe nëse nuk do të ndërpriten lidhjet e paligjshme që deputetë të PS-së kanë lidhur për bizneset e tyre.