Ministrina e Punëve të Brendshme në brifing me gazetarët janë prezantuar fatura dhe llogari nga darkat e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK) dhe Byrosë për Siguri Publike (BSP) të cilat janë paguar nga buxheti i shtetit, gjegjësisht nga xhepat e qytetarëve.

Në faturën e 12 prillit të vitit 2012, kur ka ndodhur vrasja e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës, DSK ka darkuar në një restorant në Shkup. Në meny ka pasur çdo lloj specialiteti – kërpudha në zgarë, kunguj, mish, byrekë. Mbetet mister qëllimi i kësaj darke, që si duket është realizuat vetëm disa orë para se të ndodhë vrasja e pesëfishtë, e që më pas u titullua si rasti “Monstra”, shkruan Gazeta Lajm. Darka ka qenë aq e majme, sa që në faturë shihet se janë harxhuar mbi 5.000 denarë vetëm për deserte.

Në opinion që atëherë ka pasur shumë informacione se rasti është kurdisur nga shërbimet.

Në llogari tjetër shihet se si të punësuarit në MPB kanë porositur pasta “ravioli” me fazan që kushtojnë 1.200 denarë, mish të kafshëve të egra në sos, që gjithashtu kushton 1.200 denarë, biftek që kushton 5.000 denarë, pastaj karpaço prej kalit (carpaccio) 2.000 denarë, file prej buallit 5.900 denarë dhe file nga kali 4.500 denarë. Kanë ngrënë dhe drer në sos të kërpudhave të egra që kushtojnë 1.200 denarë. Llogarinë që e kanë bërë për një darkë ka kushtuar 38.350 denarë.

Në një faturë të 6 korrikut të vitit 2011, në menynë e DSK-së ka pasur karkaleca në zgarë që kanë kushtuar 1.271 denarë, për peshk në furrë kanë paguar 13.700 denarë, ndërkaq për mish të përzier në zgarë 1.016 denarë.