Kuvendi Komunal i Prishtinës të premten pritet të diskutojë për lejen e Xhamisë së Madhe në Prishtinë, çështje kjo që u riaktualizua këtë fundjavë.
Zëdhënësi i Bashkësisë Islame të Kosovës, Ahmet Sadriu, ka thënë se ky institucion pret që në këtë mbledhje të ketë një debat konstruktiv dhe të dihet epilogu i stërzgjatur për ndërtimin e xhamisë.
Ai ka bërë të ditur se për Xhaminë e Madhe ditë më parë ka pasur një takim të kreut të Prishtinës dhe kreut të BIK-ut.
“Pasoi edhe një takim me kryetarin e komunës, që ishte këtu në selinë tonë dhe gjithashtu është biseduar rreth kësaj çështje, rreth fillimit të punës së xhamisë dhe nga ai takim, kryetari i Kuvendit Komunal i tha myftiut se do ta thërrasë Asamblenë komunale që do të mbahet me datë 21, që i bie të premten që vjen dhe do të debatohet rreth fillimit të punës së ndërtimit të xhamisë qendrore këtu në Prishtinë. Ne po presim deri ditën e premte dhe epilogun se si do të përfundon kjo. Ne shpresoj shumë se aty do të debatohet në mënyrë konstruktive dhe do të mbizotërojë arsyeja”, ka thënë Ahmet Sadriu, zëdhënës i BIK-ut.
Ai ka ka shtuar se Bashkësia Islame e Kosovës nuk ka pranuar kurrfarë peticioni lidhur me rishikimin e projektit të Xhamisë së Madhe në Dardani.
Por, edhe sikur të kishte, zëdhënësi i BIK-ut e quan pretendim tendencioz ngase procedurat për ndërtimin e xhamisë, sipas tij, kanë qenë legjitime dhe transparente.
Edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut është përfshirë në debatin e ditëve të fundit për Xhaminë e madhe në kryeqytet, duke kundërshtuar peticionin online të disa aktivistëve të shoqërisë civile.
KMDLNj-ja thotë se peticioni për xhaminë po bën përjashtime në baza fetare dhe me këtë, po shkelen të drejtat e një komuniteti fetar, duke ua mohuar të drejtën elementare të ndërtimit të objekteve të kultit, edhe në rast kur nuk janë në kundërshtim me ligjin.
“Llogaritet se afërsisht 85% të qytetarëve të Kosovës janë të besimit islam andaj , me këtë peticion, i cili nuk ka asnjë bazë ligjore, njerëzore, morale dhe logjike, po u bëhet një shërbim shumë i keq raporteve të mira ndërfetare që kanë qenë deri më tani në Kosovë. Me këtë peticion, po rrezikohen të drejtat e njeriut të besimtarëve të besimit islam në Kosovë, pavarësisht përkatësisë etnike, sikur që po inkurajohet një diskurs i rrezikshëm , ai i përçarjes në baza fetare”, thuhet në reagimin.
Peticionin online të aktivistëve të shoqërisë civile e kanë nënshkruar vetëm 900 persona.