Kandidati për kryeministër nga radhët e koalicionit PAN, Ramush Haradinaj, gjatë ditës së sotme ka zhvilluar një takim me Presidentin Thaçi. Në takim është diskutuar rreth seancës së parë konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Bashkë me Presidentin Thaçi e  kreun e AAK’së, Ramush Haradinajn, në takim kanë qenë edhe zyrtari i AAK’së, Daut Haradinaj si dhe ish-Ministri i Ambientit Dardan Gashi. Gazeta Express ka kontaktuar Gashin për ta pyetur rreth takimit. Por, ai ka thënë se në takim ka marrë pjesë vetëm si mik i Thaçit dhe Haradinajt.

“Unë në takim kam marr pjesë në cilësinë e mikut. Nuk kam çfarë të komentoj më shumë”, ka thënë Gashi për Express.

Siç dihet Dardan Gashi në të kaluarën ka bashkëpunuar me Hashim Thaçin.  Ai ka qenë pjesë e Qeverisë Thaçi 2, në postin e ministrit si pjesë e marrëveshjes PDK – Lista Rugova.

Rreth takimit nuk ka dhënë detaje as Daut Haradinaj.

E ndërkohë kandidati për kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj, pas përfundimit të takimit ka deklaruar se javën e ardhshme pritet të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.

“Po besoj shumë shpejt, pra menjëherë në javën që vjen, sepse nuk kemi nevojë me hup shumë kohë. Janë ato procedurat e sekretariatit të Kuvendit që duhet t’i kryejë, me i regjistru deputetët, por jam i interesuar mos me humbë kohë. Ju e dini interesimin tonë që edhe qeveria të votohet menjëherë, pra të mos vonohet.