Policia Kufitare godet një tjetër tentativë për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Një shtetas nga Çekia është arrestuar këtë të mërkurë dhe një sasi prej rreth 19 kg kanabis është sekuestruar.
I riu çek, me makinën e ngarkuar me sasinë e drogës, ishte duke dalë nga vendi ynë, por diçka e dyshimtë është pikasur nga efektivët që kanë arritur të zbulojnë se ai fshihte drogë në makinë.
Në pikën kufitare të Hanit të Hotit, në dalje të Republikës Shqipërisë, shërbimet e Policisë Kufitare me shërbim në vijën e dytë, kanë përzgjedhur për kontroll të detajuar automjetin tip Opel, me targë 5AR2462, me drejtues Elchin Ragimov, cili kishte destinacion Malin e Zi.
Gjatë kontrollit të imtësishëm të automjetit, shërbimet e policisë konstatuan 24 pako të dyshuara me lëndë narkotike, të fshehura në pjesën e parakolpit dhe pjesën e pasme.
Pakot ishin të mbështjella me letër natriban, ku pas peshimit rezultoi rreth 19 kilogramë kanabis.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera nga Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, u bë arrestimi në flagrancë i drejtuesit të mjetit:
Elchin Ragimov, 42 vjeç, banues në Pragë, Çeki.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” mbetur në tentativë e parashikuar nga neni 283/a 22 i Kodit Penal.