Ulja e varfërisë në Maqedoni është proces i gjatë i cili nuk mund të zgjidhet vetëm me anë të ndihmës sociale. Për uljen e varfërisë,  nevojiten masa për të pasur qasje deri te shërbimet shëndetësore, institucionet arsimore, si dhe tek mjetet financiare, vlerëson ministrja për punë dhe politikë sociale, Milla Carovska. Ajo tha se ministria me të cilën ajo udhëheq dhe Banka Botërore, po përgatitin zgjidhje ligjore, e cila do të paraqes, siç thotë ajo, kushtetutë për mbrojtje sociale dhe do të ndihmojë në uljen e varfërisë.

“Masat e parapara nuk i zgjidhin problemet, prandaj, të drejtat dhe transferimet sociale do ti grupojmë në tre nivele. Këto mjete të paguara për qytetarët që janë në rrezik social – në varfëri, në gjendje të rëndë ekonomike ose që ballafaqohen me ndonjë pengesë, duhet të mundësojnë qytetarëve tejkalimin e pragut të varfërisë dhe kjo të ketë efekt. Me këto transferime qeveria do ta zvogëlojë varfërinë”, tha Milla Carovska, Ministrja e punës dhe politikës sociale.

Pushimi vjetor, vozitja e përditshme me veturë, vizita e manifestimeve kulturore, tretmane kozmetike, dhe një pjesë e produkteve ushqimore, janë luks për një pjesë të madhe të qytetarëve në vend. Nëse dikur këto kënaqësi ishin pjesë e përditshmërisë sonë, tani shumë rrallë mund t’ia lejojmë vetes këto gjëra, thonë shkupjanët.

“Në sistemin paraprak kishte shumë gjëra, ndërsa tani asgjë. Unë nuk mund t’ia lejoj vetes pushim vjetor”.

“Më herët mund të them se kishte shumë gjëra, ndërsa tani jo. Unë që shtatë vite nuk kam qenë në pushim, këtë vit isha vetëm një javë në pushim. Po i takoj klasës së mesme por është e vështirë”.

T mobile In article [4]

“Nuk është vetëm pushimi luks, luks është edhe vetura e shtrenjte, mobiliet e shtrenjta, teshat e shtrenjta. Megjithatë, për një pushim të vogël, do të gjenden para”, Anketë me qytetarët.

Hulumtimi më i ri i institutit “Financial Think” tregon se gjendja e varfërisë në Maqedoni është shqetësuese, ndërsa  më vështirë jetojnë familjet me tre apo më shumë fëmijë. Analiza tregon se më të varfër janë të rinjtë, të cilët shpeshherë ballafaqohen me papunësi, ndërsa më pak të varfër janë pensionistët, të cilët kanë të ardhura të rregullta. Sipas “Financial Think”, është indikativ fakti se, krahas varfërisë, shumë të rinj të papunë shpeshherë refuzojnë të punojnë çfarëdo lloj pune.

“Pragu i varfërisë llogaritet si 60% nga të dhënat ekuivalente mesatare. Kështu që, në qoftë se  dikush fiton më pak se 100 euro kjo do të thotë se ky person është i varfër”, tha Bllagica Petreski, “Finance Think”. 

Nga instituti “Financial Think”, vlerësojnë se për përmirësimin e gjendjes është e nevojshme rritje më e madhe e ekonomisë, përkatësisht vende të sigurta të punës, si dhe reforma në sistemin arsimor për lokalizimin e profesioneve deficitare. Gjendja me varfërinë është përmendur rregullisht edhe në raportet e Bankës Botërore për Maqedoninë, ku është llogaritur se rreth 140 mijë njerëz jetojnë me 2 dollarë në ditë.