VMRO-DPMNE ka akuzuar sot Qeverinë se vazhdimisht është duke marrë borxhe, duke marrë 70 milionë euro vetëm brenda dy muajve të fundit. Sipas tyre, rishikimi i buxhetit parasheh rritje të borxhit për 150 milionë euro, që është më shumë se ajo që ishte planifikuar. Nga VMRO thonë se ministri Dragan Tevdovski vetëm në disa ditë ka krijuar borxh të ri prej 4.5 miliardë denarë vetëm në bazë të ankandeve të letrave me vlerë.

Nga ana tjetër në reagimin e LSDM-së thuhet se sa i përket çështjes e marrjes së borxheve, huamarrja e krijuar nga partia e Nikolla Gruevskit është zvogëluar. Sipas LSDM-së VMRO-ja ka krijuar borxh të madh përmes qeverisjes së tyre kriminale dhe të papërgjegjshme, dhe se paratë e marra janë harxhuar për stile barok të rrejshme, përmendore, monitorë led dhe pasurim kriminal të individëve të caktuar në llogari të qytetarëve dhe të shtetit.

LSDM-ja thotë se qeverisja e tyre e ka racionalizuar harxhimin, që sipas tyre e ulë borxhin e shtetit dhe i kthen paratë te qytetarët.