Ish-Presidenti Bujar Nishani në intervistën e parë për “Arena” nga Dritan Hila që pas lënies së detyrës së kreut të Shtetit, ka rrëfyer vështirësitë si dhe momentet e veçanta. Cilat ishin marrëdhëniet me Ramën, Metën? Çfarë mendon ai për marrëdhënien Basha-Rama dhe kush doli më i fituar?

Cilët ministra vlerëson Presidenti dhe cilët jo? Çfarë mendon Nishani për debatin e shpërthyer brenda Partisë Demokratike? Si i vlerëson ai zgjedhjet për kreun e PD-së si dhe zërat kundërshtarë të Bashës. A do ta rimarrë ai teserën e Partisë Demokratike dhe çfarë mendon për rolin e opozitës prej muajit shtator?

Këto dhe detaje të tjera i gjeni në intervistën hap pas hapi.

Dritan Hila: Jemi në puntatën e fundit të sezonit dhe kemi zgjedhur që të bëjmë një intervistë me Presidentin e Republikës z. Bujar Nishani. Po drejtohem me titullin “Presidenti i Republikës “sepse edhe ne Shqiptarët duhet të mësohemi që: kur një personalitet kalon në disa funksione të caktuara, pra merr një titull që i mbetet për gjithë jetën. Mirëserdhët z. President!

Bujar Nishani: Mirëmbrëma dhe faleminderit për ftesën. Ju keni plotësisht të drejtë kur thoni Presidenti i Republikës por duhet shtuar , nga viti 2012-2017 sepse tani kemi një President të ri. Të gjithë ato që kanë qenë President e ruajnë këtë titull por, për periudhën të cilën i kanë shërbyer Shqipërisë si President. Ju faleminderit për ftesën, kënaqësi për mua

Hila: Faleminderit që erdhët. Në fakt kjo do jetë një intervistë më e ç’tensionuar sepse intervistën e fundit e bëmë në momentin që opozita ishte në çadër, ndërsa tani besoj dhe ju jeni më i relaksuar apo jo?

Nishani: Patjetër. Jam më i relaksuar sepse në fund të fundit i kam ikur përgjegjësive të drejtpërdrejta shtetërore, të cilat në postin e Presidentin janë shumë të mëdha edhe pse shpesh herë në rutinën e përditshme ato nuk përcillen tek publiku por, pesha e përgjegjësisë kur je Presidenti i Republikës apo kur je në funksione të larta shtetërore është shumë e madhe sepse mban mbi vete përgjegjësinë e ecurisë së shtetit dhe përgjegjësinë imazhit të shtetit dhe përmbushjes së funksionit. Përgjegjësia ishte shumë e madhe ndaj tashmë ndjehem shumë i çliruar nga kjo peshë në një farë mënyre.

Hila: Z. President si ishte dita e parë post presidenciale?

Nishani: Ka qenë një ditë e gjatë në shtëpi, me miq. Por natyrisht që është e vështirë të ambientohesh me tempin, kur je në një temperaturë shumë dinamik, me një axhendë strikte, me stafin të cilin duhet të komunikosh dhe për një kohë të gjatë. Papritur nuk e ke më atë dinamikë, atë temp dhe atë përgjegjësi strikte të paraqitjes të angazhimit të deklaratave. Padyshim ka një diferencë të madhe, por njeriu përshtatet, për më tepër që njeriu mendon se ka rëndësi sesi e mban veten të angazhuar në aktivitetin ditor.

Hila: Në fakt ju si personazh publik nuk keni qenë tipi që i keni “dhënë vetes”. Keni qenë një njeri i thjeshtë dhe besoj se kjo j’ua ka lehtësuar atë kalimin nga President në fuqi, në ish President apo jo?

Nishani: Ju falënderoj për këtë konstatim dhe më vjen mirë që ka dhe personalitete të tilla si puna juaj që e konstatojnë këtë. Për herë të parë po e them se gjatë kohës unë nuk jam kujdesur të sponsorizoj imazhin apo prezencën formale, për të krijuar një imazh përmes sponsorizimit, përmes suportit jo normal .

Hila: Në fakt unë kam komunikuar gjithmonë direkt me ju dhe kjo ma ka krijuar atë përshtypjen.

Nishani: Po, unë kam zgjedhur një mënyrë tjetër Dritan , që atë mungesë që e kam pasur për shkak të këtij sponsorizimi unë e kam zëvendësuar me komunikimin dhe me prezencës e drejtpërdrejtë tek njerëzit, e cila nuk ka qenë aq e dukshme sa mund të ishte paraqitja apo një formalitet I sponsorizuar , por ka qenë shumë më përmbajtësore dhe thelbësorë dhe jam I bindur që kamë zgjedhur mirë në këtë formë.

Hila: Z. Nishani një ish President Republike çfarë privilegjesh ka? Kjo edhe për kuriozitetin e publikut, por edhe për të ditur si I trajtojmë ne funksionarët pasi ikin nga detyra. Juve cfarë privilegjesh keni nga data 25 ?

Nishani: Nuk ka privilegje të mëdha, momentalisht për fat të keq Shqipëria (them në për fatin e keq jo në aspektin personal por në kuadrin e imazhit të shtetit) është I vetmi vend evropian, por besoj dhe botërorë që nuk ka një ligj për Presidentin e Republikës. Për fatin e mirë nga ana tjetër ligji është i përgatitur, i draftuar dhe i depozituar në Parlament. Besoj që me fillimin e legjislaturës së re ky ligj të kalojë. Aktualisht Presidenti me aktet që janë në fuqi, ka tre vitet e ardhshme: Ruajtjen fizike, me një numër shumë të kufizuar personeli. Ka një trajtim financiar vetëm tre vjeçar me një përqindje të caktuar të pagës që ka pasur për tre vitet e ardhshme. Ligji i cili parashikon të kalojë në Parlament, i jep disa hapësira Presidentit; Të ketë një ambient pune, të ketë një staf minimalist të vogël. Pastaj kuptohet ka dhe nevojën e ndihmës së transportit. Kjo nëse ligji do kalojë, por aktualisht nuk ka ndonjë privilegj Presidenti I Republikës. Unë mendoj se me ligjin e ri hidhet një hap përpara për të krijuar një mundësi që investimet e tilla…Unë e quaj veten një të shtetit Shqiptar, dhe të gjithë drejtuesit e shtetit Shqiptar janë investime të shtetit, janë investime të qytetarëve shqiptar dhe këto investime duhet të vazhdojnë të kontribuojnë, dhe që ta bëjnë këtë patjetër që duhet të kenë në dispozicion një infrastrukturë normale. Kjo është pak a shumë situata, por nuk besoj që kjo është çështja më kryesore, është e rëndësishme, ka të bëj me imazhin e shtetit, por besoj se ligji i ri që është në Kuvend, prêt të votohet dhe besoj se do të kaloj me fillimin e legjislaturës së re.

Hila: E ka ndjerë familja periudhën tuaj presidenciale? Bashkëshortja, fëmijë, ju ishit afër, larg?

Nishani: Në radhë të parë duhet të them që përtej të qenit një post shumë i lartë dhe shumë i nderuar. Njeriu që merr postin e Presidentit të Republikës, është njeriu më inderuar. Njeriu që i bëhet nderi më i madh për sa jemi në këtë botë. Ka edhe privilegje në krahasim me ambientin ku jeton , ke një trajtim nga Drejtoria e Shërbimit Qeveritar, një personel që të ndihmon në familje, që të ndihmon në zyrë, pra janë disa privilegje të cilat i ka paraparë ligji.

Hila: Po Bujar Nishani si prind?

Nishani: …por do ju them në mënyrë shumë të sinqertë që ka dhe mjaft, kufizime, limitime në aspektin e jetës personale privatë, atë familjare .Unë mund të them Dritan që personalisht, ndoshta ka të bëjë dhe me natyrën e njeriut që nuk është se I kam përjetuar kufizimet. Për sa kohë i jam angazhuar tërësisht angazhimit zyrtarë, por t’ju them të drejtën fëmija ime e ka përjetuar në një farë mënyre e sidomos fëmijët.

Meqë jemi në një bisedë të tillë më lejoni të tregoj mes jush, një copë interesante nga jeta: Para dy apo tre vjetësh isha në funksionin e Presidentit të Republikës, djali në atë kohë ishte 18 vjeç. Kuptohet një adoleshent 18 vjeçar, moda e Facebook-ut dhe afishon në FB një fotografi që ishte në aeroportin e Venës me një makinë BMW që ishte e një shokut të tij , (e një shqiptari të emigruar në Vjenë në vitin 90, nga familja Libohova), që e priste në aeroport, dhe menjëherë pati disa sulme mediatike. “Ç’është kjo makinë”, “Djali i Presidentit me një makinë kaq të shtrenjtë”, “Ku i gjejnë këto para?”. Unë me thënë të drejtën nuk u shqetësova shumë sepse e kisha parasysh se si janë artikulimet e sotme, ime shoqe u shqetësua dhe i tha: Ç’është kjo makinë, nuk është e jotja, pse e ke postuar? Dhe pati një debat familjar. Djali e hoqi menjëherë dhe e pamë që u trishtua nga mënyra sesi ne ju adresuam. Pas disa orësh e kontaktuam përsëri për t’i hequr atë traumë sociale që i krijuam nga ai komunikim i tensionuar dhe ime shoqe i thotë: Dëgjo Ersi. Kur babi mos të jetë më President, ti mund të postosh fotografi me shokët, me shoqet e tua në FB, por tani duhet të jemi pak të kujdesshëm. Dhe përgjigjja e tij ishte (se gjithë morali i fabulës që tregova është përgjigja e tij që dha në fund): Kur babi mos të jetë më President, nuk do jem më unë 18 vjeç. Kështu që familja ka pasur ato përjetimet e veta.

Hila: Keni humbur disa vite si babai i djalit…

Nishani: Më ka munguar për disa vite distance me fëmijët, por të gjitha këto kompensohen kur kupton që ti ke shërbyer për një kauzë të madhe, që është, shërbimi në postin më të lartë, vendin më të nderuar të shtetit dhe shoqërisë.

Hila: A i keni ndjerë në familje sulmet që ju janë bërë?

Nishani: Patjetër që ka pasur, por unë nuk I kam përjetuar emocionalisht sepse pata aksidentin e parë psikologjik në 2007 kur u bëra për herë të parë ministër i Brendshëm. Kisha 2-3 muaj që isha bërë ministër dhe nuk kisha shijuar as të shtunë e as të diel. Më në fund pas tre muaj me insistimin e bashkëshortes sime vendosa që të shkojmë ditën e diel për fundjavë për drekë të prindërit e mi të cilët insistonin që të shkonim në fundjavë dhe t’i shikonim të paktën. Hipim në makinë, marrim fëmijët me vete. Djali sapo hipi në makinë tronditet dhe bërtet më të madhe. Ishte një gazeta “Korrieri” e cila në faqen e parë kishte foton time dhe tërësisht fytyrën time të mbuluar me gjak me diciturën “ë rrugët e Shqipërisë kanë ndodhur aksidente. Çfarë po bën ministri i Brendshëm?”. Unë kisha vetëm 3 muaj që isha bërë ministër i Brendshëm. Pra pati një shok tek djali kur shikonte fotografinë time dhe tërë fytyrën e mbuluar me gjak. Ai moment ka qenë moment shumë I tensionuar , unë nuk isha mësuar me këto lloj sulmesh dhe që nga ai moment unë e menaxhova emocionin tim, por familja e ka ndjerë. Ka pasur raste ekstreme kur kanë thënë që Presidenti në vdekje klinike, është në koma në SHBA dhe familjarët shqetësoheshin. Natyrisht që në ambientin politik priten akuza, por tek ne ndodhin pak të ekzagjeruara.

Hila: Z. Nishani, z. Meta tha që; biseduam me Presidentin në ikje, dhe ju i kishit paraqitur disa shqetësime. I latë atë letrën e famshme ku thuhet: “Herën e parë ma hidh fajin mua, herën e dytë hidhja fatit dhe herën e tretë jep dorëheqjen” apo i paraqitët shqetësimet serioze që kishit për gjendjen e shtetit shqiptar?

Nishani: T’ju them të drejtën nuk e lashë atë letër me një arsye, sepse Presidenti Meta është nga ata njerëz që i lexon letrat edhe pa i hapur nga zarfi. Ka eksperiencë të gjatë dhe e njeh mirë jetën politike, i njeh mirë hapat që duhet të hedhi. Unë kështu besoj dhe shpresoj. Në bisedë i shpreha ato shqetësime që më kanë shoqëruar edhe mua dhe po I ndaj dhe me ju. Jemi në një situatë delikate si shoqëri, si vend. Shqipëria nuk është i vetmi vend që ka probleme me ekonominë, ka shumë vende të tjera.

Nuk është i vetmi vend që ka probleme me krimin e organizuar, ka shumë vende. Po marr rajonin që ka probleme me infrastrukturën apo me çështje të tjera që lidhen me përditshmërinë e jetës së njeriut, por Shqipëria është i vetmi vend ku niveli i besimit dhe i shpresës ka rënë në minimumin historik të këtij shteti, dhe kjo më shqetëson në mënyrë të jashtëzakonshme si shqiptar, pastaj si politikan dhe si njeri që ka pasur mbi supe privilegjin e detyrave shumë të rëndësishme në këtë shtet.

Kjo nuk është një cështje që kalohet me biseda kafenesh, as me batuta emisionesh apo debate televizive, as me ndonjë shkrim retorik apo dramatik në media dhe gazeta. Ky është një problem fondamental dhe mua më vjen keq që nuk shikoj edhe sensibilitetin e duhur tek aktorët e ndryshëm të shoqërisë. Tek politika, qeveri-opozitë së bashku, tek media, pushtet shumë i rëndësishme, edhe më i ftohtë sesa politika për t’i parë dhe adresuar gjërat, tek Shoqëria Civile e cila është tërësisht e aktrovizuar komplet, dhe unë nuk di nëse ne në Shqipëri mund të themi më se kemi Shoqëri Civile, tek intelektualët të cilët janë bërë pjesë e këtij pesimizmi

Hila: Edhe mund të jenë trembur, intelektuali është njeriu që trembet më kollaj

Nishani: Akoma edhe më e rëndë. Në qoftë se do kemi dhe trembjen e intelektualëve atëherë kemi arritur në një aktrovizim shoqërorë.

Ky problem në gjykimin tim Dritan është një alarm i madh. Përgjegjësinë kryesore e kanë padyshim vendimmarrësit, ata që duhet të japin shpresën dhe të japin arsyet, argumentet pse një qytetar shqiptar duhet: të jetojë i qetë, të flejë i qetë, të dali i qetë nga shtëpia, duhet të bëjë punën që ka për të bërë, ka pasion, ka mundësi, ka hapësirë, duhet ta gëzoj jetën dhe duhet të shpresojë për fëmijët e tij

Hila: Mendoni që z. Meta me reduktimin e kompetencave që i janë bërë postit të Presidentit mund të ketë aftësi të ndryshojë ndonjë gjë?

Nishani: Këto nuk janë çështje që i takojnë Presidentit të Republikës edhe me më shumë kompetenca

Hila: Gjithsesi është një autoritet moral..

Nishani: Autoriteti moral dhe ka vokacionin. Presidenti sot ka vetëm vokacionin public. Unë jam munduar që këtë vokacion publik ta prezantoj herë pas here, natyrisht nuk kam qenë Presidenti që kam menduar të bëhem interesant me të shara. Nuk kam qenë Presidenti që kam menduar të jem prezent me zë të lartë  dhe më të bërtitura, por kam qenë presidenti që kam bërë deri më sot betejat ligjore konstitucionale më të shumta gjatë gjithë këtyre 25 viteve në Shqipëri. Nuk e kam bërë për arsye politike, janë të gjitha përmbajtësore, të argumentuara, janë të gjitha publike, janë të gjitha trasparente, janë të gjitha me rezultat si ato betëja që janë fituar dhe ato që nuk janë fituar. Beteja të tilla ligjore konstitucionale nuk ka bërë asnjë President tjetër më përpara, mund të këtë qenë edhe për shkak të rrethanave apo sepse vet procesi ligjbërës ka qenë konfliktual, por unë e kam gjykuar dhe e kam adresuar presidencën time tek Presidenti që bën beteja ligjore dhe konstitucionale.

Nishani: SHISH ka shpëtuar jetë masive njerëzish. Prokuroria i ka rezistuar ndërhyrjes brutale politike

Hila: Cili ka qenë moment që ju e konsideroni si më të suksesshmin në karrierën tuaj pesë vjeçare?

Nishani: Mund të them që jam bërë barrierë kryesisht në qëndrueshmërinë e disa institucioneve që kanë qenë vitale për paanshmëri dhe pavarësi të tyre, jo se kanë qenë në varësi dhe në kontroll të Presidentit të Republikës, por i kam inkurajuar, i kam mbrojtur dhe kam parë që ja kanë arritur deri diku në një masë jo të vogël që të qëndrojnë të pacenuar në kontekstin e tyre konstitucional. Shërbimi Inteligjent i vendit i cili nuk varet tek Presidenti, është pjesë e mekanizmit të ekzekutivit, por që duhet të ruaj një pavarësi tërësore nga ekzekutivi në aspektin operacional. Ne kemi pasur shumë akte të mëdha në Shqipëri që janë shpëtuar jetë masive njerëzish për shkak të funksionimit profesional dhe tërësisht jashtë ndikimit politik nga ana e Shërbimit Informativ që do ti mbeten historisë dhe ndoshta pas 50 viteve do bëhen publike.

Hila: Bëhet fjalë për terrorizëm?

Nishani: Për akte terrorizmi patjetër. Prokuroria, edhe pse unë nuk kam mbetur i kënaqur plotësisht me atë ç’ka doja unë të shikoja të Prokuroria e Shtetit shqiptar, veçanërisht në luftën e korrupsionit të niveleve të larta, por edhe të krimit të organizuar, por ka pasur le të themi një rezistencë ndaj ndërhyrjes brutale të ndërhyrjes politike që mund të kishte ndikuar për më keq në institucionin e Prokurorisë së Shtetit Shqiptar dhe në institucione të tjera. Veçanërisht në institucione financiare siç është Banka e Shqipërisë që është jo në kontrollin e Presidentit të Republikës, por për të ruajtur disa ekuilibra.

Pra veçanërisht me disa institucione Shqiptare që janë shumë të kujdesshme dhe strikte me ecurinë makro ekonomike dhe makro financiare të shtetit shqiptar dhe disa institucione të tjera, për të cilat unë vërtetë ndjej kënaqësi që ndoshta kam marrë sulmet personale, publike, tentative intimidimi publik që i kam rezistuar dhe sot pas pesë vitesh ndihem vërtetë i kënaqur aq sa mund të ndihem që i shërbeva këtyre momenteve delikate që këto institucione rezistuan, sepse këtu nuk bëhet fjala që këto atakohen nga Kryeministri,sepse shpesh herë krijohet ideja që beteja është me Kryeministrin. Patjetër që Kryeministri është njeriu më i rëndësishëm që orienton një politikë të caktuar por, ka me dhjetëra apo me qindra individë dhe aktorë që keqpërdorin pushtetin dhe tentojnë influencojnë, apo dhe njerëz që janë nën shërbime të aktorëve të tjerë të cilët mund të dëmtojnë shtetin Shqiptar. Jam shumë i kënaqur dhe i lumtur njëkohësisht që në bashkëpunim edhe me drejtuesit e këtyre institucioneve dhe të tjerë që nuk I përmenda tani I kemi dhënë shtetit Shqiptarë disa shërbime të vyera.

Hila: Ka pasur ndonjë moment kur jeni bërë gati të jepni dorëheqjen?

Nishani: Jo asnjëherë. I vetmi moment që unë do jepje dorëheqjen do të ishte nëse unë më papërgjegjshmërinë time do të kisha rënë peng i aktorëve apo i faktorëve armiq të Shqipërisë, apo që mund të isha përfshirë në skandale që natyra ime civile dhe qytetare nuk I pranon dhe patjetër që do isha larguar. Përsa i takon vështirësive, kam pasur shumë vështirësi jo vetëm në aspektin shtetërorë por dhe në atë njerëzor dhe asnjë herë nuk jam dorëzuar dhe nuk kam ndërmend të dorëzohem.

Hila: Gjatë krizës së fundit kur opozita ishte në çadër dhe realisht u krijua perceptimi që mund të mos hynte në zgjedhje ju si e përjetuat, a kishit frikë se vendi mund të rrëshqiste në një konflikt civil?

Nishani: Rreziku ka qenë evident dhe shpesh herë dhe aktorë e tjërë ndërkombëtarë e nënvlerësuan për një farë kohe situatën politike në Shqipëri dhe krizën politike në Shqipëri

Nishani: Rreziku ka qenë evident dhe shpesh herë dhe aktorë e tjërë ndërkombëtarë e nënvlerësuan për një farë kohe situatën politike në Shqipëri dhe krizën politike në Shqipëri

Hila: Duke stimuluar Kryeministrin?

Nishani: Jo. Duke e lënë mënjanë si një konflikt strikt i aktorëve të brendshëm. Më erdhi mirë kur edhe pas takimeve që kam pasur me aktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë, kanë reflektuar për këtë situatë, janë angazhuar për ta ndihmuar Shqipërinë dhe popullin shqiptar, se këtu nuk është çështja e ndërhyrjes apo ndërmjetësimit për të pajtuar dy njerëz apo dy forca politike, këtu bëhet fjalë për ecurinë e një shteti, për funksionimin e një shoqëri të tërë, përplasje të cilat mund të japin impakte prej dekadash që pasojën. Situata ka qenë kritike, ka qenë shumë e rëndë. Opozita edhe mund të mos hynte në zgjedhje dhe do të kishin perceptuar konflikte realisht problematike në Shqipëri. Por gjithsesi unë mendoj se procesi zgjedhor dhe ata të cilët kishin përgjegjësinë për të menaxhuar procesin zgjedhor nuk e justifikuan angazhimin që kanë marrë plotësisht, dhe nuk e kanë kryer detyrën e tyre në lartësinë që u kërkonte Kushtetuta dhe ligji i Shqipërisë.

Hila: Pikërisht këtu doja të dilja. Si e mendoni juve, ka qenë e mençur e opozitës fakti që pranojë të futej me Ministra Teknik dhe më vonë rezultoi që këta ministra nuk shkarkonin dot as shoferin e tyre le të themi?

Nishani: Mesa e kam kuptuar unë , ajo nuk ka qenë një marrëveshje bashkëqeverisëse. Ata që e kanë trajtuar si të tillë kanë qenë dy grupime: Së pari njëri grupim që ka spekuluar politikisht me të dhe le të themi që qeveria e shfrytëzoj dhe spekuloi dhe përfitoj politikisht me të sipas analizës sime post zgjedhore. Pjesa tjetër nuk diti t’ua shpjegoi mirë qytetarëve Shqiptar që kjo nuk është një marrëveshje, sepse ajo nuk ishte një marrëveshje bashkëqeverisëse mesa kam kuptuar unë sepse nuk kam qenë pjesë e marrëveshjes, por ishte një marrëveshje për të dekurajuar sa të mundte keqpërdorimet e pushtetit në fushatën elektorale. U mendua në atë formë, besoj se nuk është një formë e keqe, por në fund të fundit një ministër i cili e ka gjithë piramidën jashtë bashkëpunimit që atë përkushtim që ka ministri për të mos u keqpërdorur pushteti për fushatë , nuk e ka zv/ministri, e deri tek drejtori e deri tek punëtori më i thjeshtë. Kjo ishte një marrëveshje që duhet të funksiononte në bazë vullnetesh.