Britania do të ketë vonesa kolosale në kufi, do t’i duhen parkingje gjigante kamionësh në juglindje, si dhe do të pësojë më shumë se një miliard stërlina dëme ekonomike në vit, si pasojë e kontrolleve kufitare pas “Brexit”-it.

Vlerësimi i kompanisë “Oxera”, e specializuar në konsultime ekonomike, bëhet duke pasur parasysh kontrollet e reja kufitare që do të vendosen pas “Brexit”-it.

Sipas studimit, kosto shtesë do të vijnë nga radhët e gjata të trafikut në autosatrda, stafi shtesë që doganat do të duhet të punësojnë, si dhe humbja e vendeve të punës si pasojë e kompanive që do të largohen nga Britania.

Autoritetet e raportit thonë se, vlerësimi i tyre prej minimalisht një miliard stërlinash humbje në vit është tejet konservator, e shifra në realitet do të jetë shumë më e lartë.

Sipas kompanisë “Oxera”, rezultati më i mundshëm është një skenar që përshkruhet si tregti e ngadaltë dhe që përkthehet në rregullore të thjeshtuara, por zbatim i ashpër. Raporti thotë se, dalja nga BE-ja nënkupton më shumë kontrolle doganore dhe kohëzgjatje e tyre më e madhe.

Një tjetër problem është sistemi i ri kompjuterik i doganave, që është planifikuar të vihet në punë në fillim të vitit 2019, që para se “Brexit” të bëhet realitet. Raporti thotë se, sistemi është ndërtuar që të kryejë 60 milionë veprime në vit, por ende pa ditur sesi do të jenë marrëveshjet tregtare me BE-në, pritet që ai të përballojë mbi 300 milionë veprime.