Bizneset që kanë më shumë se 100 punonjës do të kenë të paktën dy “spiunë” brenda tyre, të cilët do të denoncojnë veprimet e paligjshme brenda kompanisë. Ligji “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”, ka hyrë zyrtarisht në fuqi duke detyruar çdo ndërmarrje të madhe, pavarësisht nëse është publike apo private, të ketë strukturë të posaçme spiunazhi.
Sipas ligjit, pranë çdo autoriteti publik i cili ka më shumë se 80 të punësuar dhe subjekti privat me më shumë se 100 të punësuar instalohet një njësi përgjegjëse, e cila regjistron, heton dhe shqyrton sinjalizimet sipas këtij ligji. Kjo strukturë raporton tek Inspektoriai i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë.
Pak ditë më parë në adresën e çdo biznesi të madh ka mbërritur një shkresë nga ILDKPKI, ku u kërkohet të dorëzojnë pranë këtij institucioni strukturën dhe gjeneralitetet e sinjalizuesve.
Në shkresën e firmosur nga Kryeinspektori Shkëlqim Ganaj thuhet se në rast se nuk zbatohet kjo kërkesë, atëherë biznesi ngarkohet me përgjegjësi jo vetëm administrative, por dhe penale.
Struktura e posaçme do të sinjalizojë tek organet e ligjit rastet e korrupsionit brenda ndërmarrjes, shpërdorimin e detyrës, shpërdorimet financiare apo vepra të tjera të paligjshme. Këta persona do të paguhen nga ndërmarrja dhe gëzojnë status dhe mbrojtje të veçantë me ligj.
Ligji “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve” u miratua nga Parlamenti vitin e kaluar. Ky ligj përcakton rregullat për sinjalizimin e një veprimi apo praktike të dyshuar korrupsioni nga sinjalizuesit në sektorin publik e privat, mekanizmat për mbrojtjen e sinjalizuesve dhe detyrimet e autoriteteve publike e të subjekteve private në lidhje me sinjalizimin.
Qëllimi i këtij ligji është parandalimi dhe goditja e korrupsionit si në sektorin publik ashtu dhe në atë privat. Po kështu ai mundëson mbrojtjen e individëve që sinjalizojnë veprimet apo praktikat e dyshuara të korrupsionit në vendin e tyre të punës dhe e nxit këtë sinjalizim.