Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka sqaruar dje për herë të parë shkaqet që çuan në marrëveshjen e 18 majit me Edi Ramën. Nga Saranda ku zhvilloi një takim me strukturat e Partisë Demokratike në kuadër të garës për kryetar, Lulzim Basha pranoi se ishin amerikanët, ata që e detyruan në futej në zgjedhjet e 25 qershorit. Basha në fjalën e tij para militantëve të PD është shprehur se ndërhyrja amerikanë rezultoi deçizive, pasi ata e paralajmëruan qartë së nëse PD nuk hyn në zgjedhje, SHBA do njohë sërish rezultatin e garës. “Unë e firmosa marrëveshjen e 18 majit pas refuzimit të tre delegacioneve evropiane. Ndërkohë përfaqësuesit e SHBA më paralajmëruan duke më thënë: O hyr në zgjedhje, ose ne do të njohim legjitimitetin e zgjedhjeve edhe nëse PS hyn e vetme. Në këto kushte vendosa të hyj në garë duke marrë edhe gjysmën e qeverisë, pasi nëse nuk do hyja në garë, demokracia në vendin tonë do ishte në rrezik”, ka thënë Lulzim Basha përpara militantëve demokratë. Në 18 Maj Basha firmosi marrëveshjen me Ramën duke u bërë pjesë e qeverisë me disa ministra, të cilët do të ishin sipas tij garantë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Deri ditën e djeshme, askush nuk e dinte se çfarë e kishte detyruar Bashën të dilte nga çadra dhe të vendoste të hynte në zgjedhje vetëm një muaj para ditës së votimeve.

Takimi pa kamera

Në takimin e Bashës në Sarandë, mësohet se nuk janë lejuar kamerat e mediave me pretekstin se pamjet e aktivitetit i shpërndan zyra e marrëdhënieve për shtyp. Ndërkohë , Basha zhvilloi më tej takime me demokratët e Gjirokastrës, Tepelenës, Memaliajt, Përmetit dhe Këlcyrës. Basha theksoi se mazhoranca e sotme është fryt i deformimit të vullnetit të qytetarëve kryesisht falë shitblerjes së votës, një skemë që kishte kohë që ishte vënë në jetë. “Me fillimin e fushatës ju gjetët një terren tërësisht të helmuar dhe të minuar nga aktiviteti i kundërshtarit i cili në shumë raste prej javësh dhe muajsh kishte kryer kapjen dhe nënshtrimin e votuesit përmes shitblerjes së votës dhe kishte vënë në funksion të kësaj gjithë makinerinë e presionit të pushtetit dhe të bandave. Në këto kushte, njësoj si në vitin 1991 peshorja ishte e prishur. Në njërën anë ishte rreshtuar pushteti, shteti, administrata, institucionet, policia, bandat me paratë e tyre, lekët e korrupsionit, përqindjet e tenderave dhe koncesioneve, të gjitha mediat, nga ana tjetër, e vetmja palë, e vetmja parti që doli para shqiptarëve pa aleancë me krimin, nuk u përlye në shitblerje votash dhe ofroi një program politik për hallet e shqiptarëve, ishte Partia Demokratike”, tha Basha, duke shtuar se kreditë morale që ka treguar PD në këto zgjedhje, dhe 450 mijë shqiptarët që zgjodhën këtë rrugë, janë një burim frymëzimi për ecjen përpara. “Njësoj si në vitin 1991, e vetmja forcë që ruajti moralin duke treguar rrugët e daljes për çdo shqiptar është forca e koalicionit dhe Partisë Demokratike. Dhe në këto kushte të pabarabarta, mbi 450 mijë shqiptarë që ndoqën rrugën tonë, duke refuzuar jo pa rrisk ankandin e votave, duke refuzuar presionin e krimit dhe të shtetit, janë një frymëzim i madh për mua, jam i sigurtë për ju dhe Partinë Demokratike”, vijoi ai. Lulzim Basha tha se rruga e ringritjes nis nga bashkimi i çdo demokrati dhe vlerësimi në bazë të kontributit.