Lulzim Basha me demokratët e Beratit, Kucovës dhe Policanit

Lulzim Basha bashkëbisedoi me demokratët e Beratit, Kuçovës, Poliçanit ku u ndal në analizën e asaj çfarë ndodhi me 25 qershor, ku përballë ishin PD me vlerat e programin e saj dhe nga ana tjetër, krimi, droga, makineria shtetërore dhe shitblerja masive e votës. Basha tha se beteja për vlerat ku aspirojmë të shkojmë duhet të vazhdojë deri në fund, dhe PD është e vetmja që mund ta bëjë e ta shpëtojë vendin.

“Bashkë luftuam betejën për dekriminalizimin, luftën kundër drogës, luftën për zgjedhje të lira e të ndershme. Tre kauzat që 25 qershori i vërtetoi katërcipërisht se nuk janë vetëm kauza të drejta por kauzat më të rëndësishme për Shqipërinë dhe për shqiptarët sot. Edi Rama, e dinë fare mirë shqiptarët dhe me 18 maj e dinte edhe bota, ai jo vetëm nuk mund të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme, por siç vërtetoi 25 qershori është strumbullari i varrmihjes së demokracisë në Shqipëri.

Sepse ka ndërtuar një sistem politik klientelist, korruptiv dhe kriminal me një qëllim asgjësimin e vullnetit të lirë të qytetarëve shqiptarë. Në njërën anë të peshores shteti, institucionet, administrata, policia, milionat e tenderave të koncesioneve të korruptuar, bandat, paratë e drogës, në anën tjetër të peshores Partia Demokratike e cila nuk përdori asnjëherë presionin dhe shantazhin ndaj votuesit. Ne, nuk lidhëm dhe as nuk do të lidhim pakt me krimin për të ardhur në pushtet. Ne, nuk u përfshimë në lojën e ndyrë të shit-blerjes së identitetit të qytetarëve, të dinjitetit të tyre me shukun e pisët të korrupsionit dhe drogës”, tha Basha.