Kryetari i Mitrovicës, njëkohësisht nënkryetar i Aleancës Kosova e Re, Agim Bahtiri, ka thënë se partia e tij ka pasur oferta serioze nga koalicioni PAN.
Bahtiri në një intervistë për “Bota sot” është shprehur se koalicioni PAN në vazhdimësi ka ofruar mundësi për bashkëqeverisje duke ofruar edhe pozita të larta brenda qeverisjes së tyre dhe që ata nuk i mohojnë që kanë qenë serioze.
Bahtiri nuk ka treguar më konkretisht cilat pozita i janë ofruar, mirëpo sipas tij me këto oferta edhe paraqitet gjendja që koalicioni PAN e ka të pamundur të formojë një qeveri stabile.
“PAN në vazhdimësi ka ofruar mundësi për bashkëqeverisje duke ofruar pozita të larta brenda qeverisjes së tyre dhe nuk e mohojmë që kanë qenë serioze. Ashtu sikur paraqitet gjendja sot, konsiderojmë se koalicioni PAN e ka të pamundur të formoj një qeveri stabile. As vendit e as qytetarëve nuk ju bënë nderë që PAN-i të kontrabandoj ndonjë deputet për të formuar Qeverinë e re në bashkëpunim me Listën serbe, sepse atëherë vendimet më të rëndësishme do të vareshin nga Beogradi, e cila ka nën kontroll të plotë Listën serbe” ka deklaruar Bahtiri për “Bota sot”.
Gjersa përflitet që koalicioni PAN nuk i kanë numrat për formimin e qeverisë, Bahtiri shprehet për një koalicion të mundshëm mes tyre dhe Vetëvendosjes dhe kështu do t’i arrijnë t’i kenë 61 deputetë shqiptarë.
“Koalicioni me Vetëvendosjen është i mundshëm dhe e kemi shprehur hapur këtë disa herë. Besoj se ky koalicion me 61 deputetë shqiptarë, është i qëndrueshëm dhe mund të jetë efikas në marrjen e vendimeve të rëndësishme për të mirën e vendit dhe të qytetarëve, të cilat edhe do të mund t’i realizonte” ka pohuar Bahtiri.