Zhvillimet e orëve të fundit janë vërtet të vrullshme dhe çojnë ujë në mullirin e PSG që është gati të paguajë klauzolën për asin brazilian të Barcelonës. Sheiku Al Khelaifi është gati të derdhë 222 milionë euro në arkën e katalanasve për të afruar sulmuesin e Selecaos që vazhdon të mbetet i dyzuar mes Barcelonës dhe Parisit.

Pas dy golave të shënuar në miqësoren me Juventusin, Neymar mbetet në qendër të vëmendjes edhe pse në takimin e parë të zhvilluar me shokët e skuadrës, Lionel Messi, Luis Suarez e Gerard Pique u duk se ai e kishte marrë vendimin për të mos lëvizur nga Katalonja.

Në skenë ka dalë edhe i ati dhe agjenti i tij, i cili është takuar me drejtues të lartë të PSG menjëherë pas ndeshjes së zhvilluar në SHBA dhe u ka dhënë fjalën se sulmuesi brazilian do të pranonte ofertën e PSG.

Marrëveshja verbale është arritur dhe të enjten, stafi i lojtarit do të zbarkojë në Barcelonë për të rinegociuar detajet e kontratës aktuale që ai ka, në të kundërt Neymar do të largohet me destinacion Francën pasi klauzola e lejon të marrë një vendim të tillë i pandikuar nga klubi.

Tetë muaj më parë, sulmuesi firmosi kontratën e re me Barcelonën por tashmë mesa duket nevojitet një tjetër ndërhyrje në çështjen e pagës pasi PSG ofron rreth 40 milionë euro në sezon. Lajmi bëhet i ditur nga mediat braziliane por gjen konfirmim edhe në Spanjë ku gazeta AS thekson se me shumë mundësi, ditët e Neymar te Barcelona janë të numëruara.

T mobile In article [4]