Shpërthimi i fuqishëm i cinsternës së gazit në Velipojë tronditi mbarë opinionin. Nga shpërthimi ndërroi jetë pronari i resortit, Besnik Zenuni ndërsa djali i tij që u hodh mes flakëve për të shpëtuar të atin, gjendet në spital.

Ky veprim heroik i djalit Hektor Zenuni, ka ngacmuar vëmendjen e babait të këngëtarit të ndjerë Ergi Dini që humbi jetën në një aksident me motor. Dashamir Dini  ka shkruar se djem si Hektori të kthejnë besimin tek brezi i ri.

‘Ai, djemtë tanë!

Kushtuar djalit të mrekullueshëm Hektor Zenuni

Ah, djemtë tanë! Krenaria, por jo rrallë edhe turpi i baballarëve.

Na dëshpërojnë kronikat e zeza të TV-ve, kur shohim se djali vret prindërit, se një tjetër vret nënën, se një i tretë merr pistoletën dhe qëllon mbi të ëmën e vret pa mëshirë babain…E kështu me radhë.

Dhe dëshperimi u shtohet halleve të tjera, e na bën të mbytemi në mosbesim për të ardhmen, në mosbesim për “brezin që po rritet”…

Por Hektor Zenuni, biri i pronarit fatkeq që humbi jetën në incidentin e Restorant “Kavaljeros” në plazhin e Velipojës në Shkodër, para pak ditësh, thotë:”Jo! Nuk është ashtu!”.

Ai sulet përmes flakëve që kishin përfshirë lokalin, për të shpëtuar të atin, i vetëdijshëm se po hynte  në gojën e vdekjes së sigurtë edhe vete, duke i ofruar fatit jetën e vet, për atë të babait.

A duhet ta quaj hero? Jo!

Është shumë më shumë,

Është Modeli i një Djali të Mrekullueshëm, që ne të gjithë e ëndërrojmë dhe përpiqemi ta krijojmë tek djemtë tanë, me shembullin më të zgjedhur nga vetja dhe dashurinë pa fund.

Nuk e kam njohur asnjëherë më parë këtë djalë simpatik, me trup atleti dhe fytyrë njerëzore.

Sepse djemtë e mirë të tillë janë. Të thjeshtë dhe të padukshëm, siç është vetë shpirti i mirë shqiptar.

Një djalë të tille kisha edhe unë. Një djalë të tillë ke edhe ti…edhe ti…edhe ti….’ Shkruan bababi i këngëtarit të ndjerë Ergi Dini.