Personazhi në fjalë mban emrin Avni Ago. Është 76 vjeç me origjinë nga Tepelena. Prej gjysmë shekulli jeton në Elbasan. Në këtë qytet e njohin të gjithë. E sheh gjithmonë ngarkuar me dengje plot me letra. Gazetat janë fiksimi i tij, aq sa shpesh e identifikojnë si “Avniu i gazetave”.

Gjatë ditës  e sheh nëpër rrugë, spitale apo institucione të ndryshme. Në mbrëmje ai gjen ndonjë strehë pallati apo lulishte ndërsa të vetmet shtroje për të janë rrobat e falura dhe gazetat që nuk ka mundur t’i shesë. Mbulojë ka qiellin e hapur ndërsa ndriçimi është vetëm ai që vjen nga dritat e rrugës ndërsa fqinjë janë kalimtarët e rastësishëm në rrugë.

I zhytur në mjerimin e tij, fjalëpakë, i edukuar, por edhe i përgatitur që të japë çdo përgjigje, falë kjo edhe leximit të përditshëm të gazetave. Por sipas tij, gazetat dhe politika sot janë krejt ndryshe nga e kaluara. Kursimet e jetës së tij ky njeri i ka humbur si shumica e shqiptarëve në çmendurinë e piramidave, ndërsa për shkak të të qenit i vetmuar dhe jashtë vëmendjes së shoqërisë, ai nuk ka mundur dot as të përfitojë nga ndihmat sociale apo banesat për të pastrehët në bashkinë e Elbasanit.

“Këto që më kanë ndodhur mua, si kanë ndodhur kujt në botë! Shteti mua më la në mëshirë të fatit, më rrënoi, më shkatarroi të tërin si individ..!”- kështu e nis rrëfimin e tij Avniu Ago 76 vjeçari që endet nëpër rrugicat e qytetit të Elbasanit i vetëm, pa familje, pa shtëpi dhe pa kurrfarë gjëje, i mbetur mes katër rrugësh fillikat.

Ai çdo ditë vërtitet nëpër rrugët e qytetit prej më shumë se 50-të vitesh me një grumbull gazetash në dorë, ku janë i vetmi burim financiar që ai ushqehet. Jeta e tij është e mbushur plot sprova, vuajtje e dhimbje të mëdha, pa patur qoftë një mbështetje apo dhe një ambjent të ngrohtë për të futur kokën.

Streha e tij nuk është komode, aspak e ngrohtë dhe jashtë normave jetësore. Ai jeton i shtrirë mbi copëza kartoni i mbështjellë me mbetje plastike, të cilat shpesh herë i përdor edhe si dyshek. Ndërsa mbulojë përdor gjithmonë një copë të vjetër plasmasi e cila e mbron nga shiu, vapa, i ftohti madje edhe ngricat të cilat në dimër i kalojnë shpesh herë disa gradë nën zero.

”Jam rritur jetim gjithë jetën time, pa nënë pa baba, pa asnjë të afërm. U rrita si mos më keq, pa asnjë përkrahje, qoftë shpirtërore, morale apo financiare. Fillova të punoj që i ri. Shisja gazeta, punë që e bëj dhe sot. Bëja çdo lloj pune, nuk bëja “naze” dhe si shpërblim u thoja njerëzve më jepni sa të doni. Isha pa shtëpi, pa asnjë strehë ku të fusja kokën.

Fillimisht arrita të strehohesha te spitali i Elbasanit. Flija në cepa, në dysheme, në korridore, ku të dilte, por të paktën nuk më lagte shiu dhe nuk rrija në të ftohtë. Mes shumë rrëpatjesh dhe punëve të ndershme që bëja doja të kurseja disa para, me to doja të blija një shtëpi(që se pata kurrë) ku të fus kokën, të ndihem dhe unë njeri. Por, ja ato para që fitoj smë dalin as për të ngrënë. Doja të krijoja familjen time, të kisha djem e vajza, mbesa e nipër ku shtëpia të mbushej plot dashuri që mua ka një jetë që më mungon…”

“Mirëpo teksa qëndroja te spitali, sistemi komunist i atëhershëm më dëboi nga ambjentet spitalore ku qëndroja, pasi aty lija një imazh të keq të spitalit tek pacientët, sipas tyre. Më flakën ashtu tutje sikur të isha një copë letër e rrudhosur, e jo më se kishin të bënin me një njeri jetim. Më lanë në mes katër rrugësh, i vetëm, pa shpresë, pa të ardhme. Më poshtëruan si njeri, më shembën gjithçka që kisha ngritur me djersë, më kthyen përsëri nga e para, në rrugë. Nuk shtyhet jeta në rrugë edhe qeni që është qen e do një kasolle ” – tregon Avniu plot vuajtje e i mbuluar nga rrudhat që duken fare qartë në fytyrën e tij të lodhur nga jeta.