Presidentët e Austrisë, Sllovenisë dhe Kroacisë, Aleksandar van der Velen, Borut Pahor dhe Kolinda Grabar-Kitaroviq në takimin e tyre të sotëm në qytetin austriak Salcburg, shprehën mbështetje të plotë për perspektivat evropiane të shteteve nga Ballkani Perëndimor.

Tre presidentët nga takimi porositën se të gjitha gjashtë vendet nga rajoni i Ballkanit Perëndimor duhet të kuptohen mes veti dhe të besojnë se BE-ja zhvillon politikë me të cilën më herët apo më vonë ato do të bëhen anëtare të saj.

Në konferencën e përbashkët për shtyp pas takimit, Grabar-Kitaroviq posaçërisht u angazhua për afrim të Bosnjë e Hercegovinës drejt Unionit, duk potencuar se Zagrebi “posaçërisht e mbështet rrugën” e Sarajevës drejt BE-së dhe NATO-s.

Në takim është bërë fjalë edhe për problemin me zjarret në rajonin e Dalmacisë, me ç’rast Van der Belen de Pahor i ofruan ndihmë Kroacisë në përballjen me stihinë e zjarrit.

Presidenti austriak në konferencë për shtyp theksoi se nga Kroacia vijnë pamje të zjarreve të cilat japin shkas për shqetësim, duke shtuar se Austria është e gatshme ta ndihmojë vendin në çdo mënyrë të mundshme.

Grabar-Kitaroviq iu falënderua kolegëve të saj për ndihmën e ofruar dhe u shprehi mirënjohje zjarrfikësve dhe ushtarëve kroatë të cilët po luftojnë me zjarret, me ç’rast paralajmëroi se pas përfundimit të Samitit në Salcburg do të niset drejt Splitit, me qëllim që personalisht të njihet me gjendjen në terren.