Një i ri i ka shpëtuar plumbave të një personi, tashmë të shpallur në kërkim nga Policia e Tepelenës. Orjol Memushi, ka shpëtuar pa marrë asnjë plumb, pasi autori me inicialet D.R ka qëlluar në drejtim të automjetit të tij në lëvizje, duke shënuar vetëm dëme materiale. Orjol Memushi është nipi i Luan Memushit, ish-ministrit të Arsimit.

Policia është njoftuar për ngjarjen përmes një telefonate në sallën operative, se në lagjen “Mustafa Matohiti” në Tepelenë, ka të shtëna me armë zjarri.

Shërbimet e policisë kanë konstatuar se në afërsi të Pallatit të Kulturës, fillimisht kishte  pasur një konflikt të çastit mes autorit, D.R dhe Orjol Memushit.

Pas debatit me fjalë, Memushi ka hipur në automjetin e tij tip “Volkswagen” për tu larguar.

Ndërkohë, autori D.R  ka qëlluar me armë në drejtim të automjetit, ku  është dëmtuar vetëm xhami i automjetit.

“Nga të shtënat nuk ka të lënduar.Grupi hetimor  po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave  të ngjarjes. Vijon puna për kapjen e shtetasit D.R”, thotë policia në një njoftim zyrtar.

Orjol Memushi është një emër i njohur për policinë, pasi rezulton me precedentë penalë.