Është arrestuar sot në Durrës, ai që në Itali, konsiderohet një ndër bosët më të mëdhenj shqiptarë të drogës.
Dario Myftiu 38 vjeç, i dënuar më parë për falsifikim dokumentesh, është vënë në pranga, bëjnë me dije burime zyrtare nga Policia e Durrësit.
Myftiu, në kërkim ndërkombëtar, është arrestuar me qëllim ekstradimi drejt Italisë. Gjykata Italiane ka lëshuar ndaj tij urdhër arresti për veprën penale “Trafik droge”. Konkretisht, Gjykata e Padovës me datë 06.07.2017, ka lëshuar Urdhrin e Arrestit për veprën penale, “Trafik droge”, parashikuar në nenet 81, të Kodit Penal Italian, dhe nenit 73 e 80 të ligjit “Mbi drogat”.
Myftiu rrezikon të dënohet 20 vite burg. Për arrestimit e tij, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës kanë bashkëpunuar me Interpol dhe Sektorin e Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Shtetit.
Në vitin 2008, hetuesit italianë zbuluan se apartamentin ku ai banonte në vendin fqinjë, e kishte kthyer në një rafineri droge. Atje u gjetën plotë 30 kg heroinë, që asokohe vlerësohej 1 milionë e 500 mijë euro.