Gjatë ditës së sotme, rreth orës 11:10, në Parkun e Qytetit të Prizrenit, është raportuar për një vjedhje të rëndë.

Sipas raportit policor, një i mitur i lindur në vitin 2000, është arrestuar pasi ia ka shkëputur nga qafa një vajze një zinxhir të arit, po ashtu edhe ajo e mitur.

Në komunikatën e lëshuar nga Drejtoria e Policisë Rajonale, Prizren, ngjarjen e kishte parë një person që e ka ndihmuar policinë për identifikimin e të dyshuarit i cili pas një ore ka rënë në prangat e policisë.

I dyshuari është intervistuar në prani të prindit dhe avokatit mbrojtës. Gjatë shqyrtimit të provave është kuptuar se si është kryer vepra penale.

Më pas hetuesit policor kanë arritur të zbardhin edhe një vepër tjetër të ngjashme të kryer më parë nga po ky i dyshuar ngase ekzistojnë incizime te kamerave të sigurisë.

Pas intervistës është njoftuar prokurori i shtetit i cili ka urdhëruar që i dyshuari të ndalët në masën e arrestit policor.