Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ardian Gjini shprehet i sigurt se lidhja me PAN’in do të shkojë deri në fund. Sipas tij, Qeveria Haradinaj bëhet shumë shpejtë dhe se numrat për ta formuar atë janë siguruar. Duke e komentuar ftesën e LDK’së për t’iu bashkëngjitur atyre, por me kusht që ta braktisin PDK’në, Gjini thotë se kjo nuk mund të ndodh.

Bashkëpunëtori i Haradinajt ia ka shuar shpresat zyrtarëve të LDK’së për një marrëveshje të përbashkët mes tyre.

Ndonëse këta të fundit kanë bërë thirrje që AAK të shkëputet nga PAN për ta bërë Qeverinë, një gjë e tillë nuk duket se mund të ndodh.

Kjo, pasi AAK është e vendosur që koalicionin e lidhur me PDK’në ta çojë deri në fund. Kështu ka bërë të ditur për Express të mërkurën nënkryetari i këtij subjekti, Ardian Gjini.

“LDK e njeh procedurën e punës në Aleancë për shkak se praktikisht në tre vjetët e fundit nuk ka mbetur asnjë parti e cila nuk ka qenë në parakoalicion ose në marrëveshje me Aleancën apo Ramush Haradinajn. Jemi deri në fund me PAN’in pra po e them edhe njëherë se në tre vjetet e fundit të gjitha partitë politike në Kosovë në njërën mënyrë ose tjetrën kanë qenë në marrëveshje ose qeverisje me Aleancën me kryeministër Ramush Haradinajn dhe e dinë se cilat janë rrugët që ne i ndjekim”, është shprehur Gjini.

Ai ka bërë të ditur se Qeveria në krye me Ramush Haradinajn do të formohet shumë shpejtë pasi numrat për të krijuar atë, janë siguruar.

“Ramush Haradinaj do ta krijojë Qeverinë shumë shpejtë dhe kjo është rruga e cila do të ndiqet. Qeveria e Kosovës do të jetë një qeveri shumë efikase dhe shumë e zonja. Numrat për ta krijuar Qeverinë janë të siguruara. Haradinaj ka biseda me individ ose grupe tjera politike që eventualisht mund t’i bashkohen”, ka thënë Gjini.

Sidoqoftë, edhe sot deputetja më e votuar e LDK’së Vjosa Osmani e ripërsëriti se LDK-ja do të jetë e hapur për të diskutuar me Vetëvendosjen, por edhe me AAK-në e Nismën, në qoftë se ato shkëputen nga PDK-ja.

Kujtojmë se vendi shkoi në zgjedhje më 11 qershor, pasi Qeveria ‘Mustafa’ u rrëzua nga Parlamenti përmes një mocioni të opozitës të cilin e votoi edhe PDK-ja.