Edhe pse sot skadon afati 48 orësh brenda të cilit Apeli duhet të merr vendime lidhur me ankesat e udhëheqjes së VMRO DPMNE-së për kthimin e pasaportave, nga Gjykata njoftojnë se vendimet do të bëhen publike më së voni deri nesër.

Në pyetjen e televizionit Alsat nëse vendimet veçmë janë marrë, nga Gjykata e Apelit morëm përgjigjen se për momentin është vendosur vetëm struktura e dokumentit. Nikolla Gruevski, Gordana Jankulloska, Mile Janakieski, Kiril Bozhinovski dhe Martin Protugjer janë të akuzuar në rastin “Titanik” të Prokurorisë Speciale për shpërdorim të parave në fushatë zgjedhore dhe shkeljen e të drejtës zgjedhore.

Të premten në seancë publike në Gjykatën e Apelit pohuan se nuk ndjehen fajtorë, nuk planifikojnë të arratisen e as që të pengojnë procedurën gjyqësore. Ndërsa nga Specialja këmbëngulin në atë se duhet të ketë paraburgime për shkak të mundësisë për arratisje dhe ndikim ndaj dëshmitarëve. Ish shefi i kabinetit të Gruevskit, Martin Protugjer nuk u paraqit në gjykatë. Për të, mbrojtja dorëzoi vërtetim nga mjeku se gjendja e tij shëndetësore nuk është e mirë.