Ambasadorja e Gjermanisë në largim, Kristinë Althauzer vlerëson se Maqedonia e qëndrueshme dhe progresive është në interes të vendit të saj dhe pikërisht për këtë qëllim Gjermania bashkë me shtetet e tjera të BE-së dhe SHBA-ja po e ndihmojnë vazhdimisht atë. Althauzer tha se nuk mund të parashikojë nëse Maqedonia vitin e ardhshëm do të marrë datë për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE, por inkurajoi realizimin e reformave të harmonizuara në Projektin e Qeverisë të njohur si 3-6-9.

E ashtuquajtura 3-6-9 është shumë interesante, i përmban të gjitha elementet e aktiviteteve reformuese nga “Blueprinti” për reformat urgjent prioritare, deri te Pribe, ose anasjelltas nga Pribe deri te   reformat urgjente. Puna, vullneti politik, duhet së pari të vijnë nga brenda shtetit, nga Qeveria e re. Këtu ekziston vullnet politik, por edhe opozita duhet të përfshihet dhe aktorët tjerë, si për shembull sektori civil dhe gjithashtu edhe bashkësia ndërkombëtare. Gjermania gjithsesi se numërohet në ato shtete. Ka shumë punë në këtë plan të reformave. Por jam optimiste se e gjitha do të realizohet me sukses – tha Kristine Althauzer, Ambasadore e Gjermanisë.

Nga ana tjetër Zv/Presidenti amerikan, Majk Pens në një bisedë telefonike me kryeministrin Zoran Zaev shprehu mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Maqedoninë në realizimin e reformave.

Në emër të Presidentit Tramp, zv/presidenti e uroi Zaevin për marrjen e postit të kryeministrit më 31 maj. Zv/presidenti nënvizoi mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve për aspiratat euro-atlantike dhe inkurajoi Zaevin t’i jep prioritet reformave që do ta avancojnë Maqedoninë në rrugën që ka zgjedhur – deklaroi Shtëpia e Bardhë  Zyra e zv/presidentit.

Zv/Presidenti, Pens paralajmëroi se do ta takojë Zaevin dhe liderët e rajonit të Ballkanit Perëndimor në Samitin e Kartës së Adriatikut që do të mbahet më 2 gusht në Podgoricë, të Malit të Zi.