Hakerat qe depërtuan në rrjetet e bizneseve të kompanive amerikane te energjisë dhe bërthamore javët e fundit, punonin për qeverinë ruse shkruan “The Washington Post”.

Duke cituar zyrtare te paidentifikuar të administratës amerikane, gazeta thekson se nuk ka prova qe piratet kibernetike t’i kenë shkaktuar probleme sistemeve qendrore qe kontrollojnë centralet, ndaj nuk ka pasur ndonjë rrezik për publikun. Ata duket kane arritur te prekin atë pjese te rrjetit qe ka te beje me çështje biznesi apo administrate, siç është personeli.

Fakti që operacionet e kompanive te prekura nuk janë ndërprerë e bën të paqartë motivin e këtij sulmi. Ekspertet amerikanë megjithatë e kanë një ide. Goditje te tilla kibernetike ata i shohin si “një përpjekje gjurmimi” për të identifikuar se si mund të depërtohej nëpër kompani.

“Kështu veprojnë të gjithë ata që duan të shkaktojnë dëm me sulme të kësaj natyre”, thonë specialisët. Ndërhyrja ne sistemet administrative dhe të biznesit të këtyre kompanive u konfirmua javën e kaluar, kur Departamenti i Energjisë deklaroi se po ndihmonte firmat qe te mbroheshin nga sulmet online, shkruan Washington Post.

Sipas saj, zbulohet se hakerat qeveritare ruse kanë arritur të gjejnë rrugën për të hyrë në rrjetet e kompanive nukleare amerikane dhe mund të jetë sinjal i faktit që ndoshta janë duke përgatitur hakerime të mëtejshme akoma më dëmtuese.

Pak orë pas botimit të lajmit, presidenti Donald Trump shkroi në Twitter se ka diskutuar me shefin e Kremlinit, Vladimir Putin krijimin e një Njësie të Sigurisë Kibernetike për mbrojtjen e zgjedhjeve me argumentin se tani është koha për të punuar në mënyrë konstruktive me Moskën.