Një aksident ka ndodhur pasditen e sotme në rrugën Shënvlash – Durrës, ku një 55-vjeçar ka humbur jetën.

Viktima është D.M., banues në Durrës, i cili udhëtonte me një motoçikletë, që është përplasur me një makinë.

Sipas hetimeve paraprake të Policisë, impkati ka ndodhur rreth orës 17:40. K.M., 28 vjeç, banues në Durrës, duke drejtuar mjetin tip “Opel” është përplasur me motoçikletën tip “Piagio”, pa targa, me drejtues 55-vjeçarin.

Përplasja ka rezultuar fatale për këtë të fundit, i cili nuk ka mundur të mbijetojë.

Ai u dërgua në Spitalin Rajonal Durrës, ku pavarësisht ndihmës së mjekëve, ndërroi jetë.

Drejtuesi i mjetit është shoqëruar në polici dhe grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.