Agjenti i Gabigol ka konfirmuar se braziliani do të largohet nga Interi.

Gabriel Barbosa do të largohet gjatë verës nga Interi, këtë e ka konfirmuar agjenti i lojtarit, Wagner Ribeiro.

Ai ka kritikuar klubin për mënyrën se si janë sjell me 21 vjeçarin: “Ata e prezantuan si Ronaldo, më pas e turpëruan”.

Sulmuesi u transferua në “San Siro” për 29.5 milionë euro nga Santos në gusht kur braziliani sapo kishte mbushur 20 vjet, por nuk startoi në asnjë ndeshje në Serie A, duke luajtur nga fillimi vetëm një ndeshje në Kupën e Italisë.

“Rasti i Gabriel nuk është i zakonshëm”, tha Wagner Ribeiro.

“Ai u largua nga Brazili si kampion në Lojërat Olimpike dhe si startues te Santos dhe u thirr nga Tite për Seleçao. Interi e prezantoi Gabigolin si Ronaldo, me gjithë drejtorët dhe udhëheqësit e klubit dhe më pas çfarë ndodhi?”, shtoi agjenti i lojtarit.

“Atij nuk iu dha mundësia që të luajë. Askush nuk mund të thotë se ai vlerësohej. Ai luajti një ndeshje dhe shënoi gol. Për të tjerat, luante vetëm katër apo pesë minuta në fund. Ai stërvitej mirë dhe shënonte gola”, shtoi agjenti i Gabigol.

“Thash se është turpëruar dhe njerëzit nuk e pëlqyen atë fjalë në Itali, por unë them sërish se sigurisht se është turpëruar”, theksoi mes tjerash agjenti i lojtarit.

Tani duket se ai do të huazohet në ndonjë skuadër, teksa dështoi të arrijë marrëveshje me Las Palmas, derisa me skuadra tjera ende nuk ka pasur kontakte.

“Rikthimi në Brazil është e vështirë, kështu që do të jetë më mirë për të që të huazohet në ndonjë klub në Evropë”.

“Ai është shumë i ri, është vetëm 20 vjeçar dhe një talent i jashtëzakonshëm. Mund të luajë në të djathtë, pas sulmuesve dhe është i fortë fizikisht. Vetëm ka nevojë të luajë rregullisht”, përfundoi Ribeiro për UOL Esporte në Brazil