Qendra Emergjente në QKUK është afër kolapsit. Mjekët qëndrojnë aty, por nuk mund t`u ofrojnë ndihmë për pacientët. Pos stafit mjekësor, pothuajse gjithçka mungon në këtë qendër, më të madhen në Kosovë.

Pacientët presin me orë të tëra një trajtim i cili vonohet se nuk ka rëntgen, pajisje të tjera e as medikamente.

Stafi mjekësor i Emergjencës shprehet i shqetësuar, Drejtoria kërkon ndihmë nga Ministria e Shëndetësisë, kurse kjo e fundit hesht!.

Klinika Emergjente në QKUK ndodhet në gjendje alarmante për shkak të mungesës thuajse totale të barnave dhe pajisjeve të tjera përcjellëse.

Këtu mungojnë medikamentet, rëntgeni, gypat e aspiratorëve e shumë pajisje të tjera.

Si pasojë pacientët tregojnë se me orë të tëra janë duke qëndruar me dhimbje dhe pa marrë tretman mjekësor në mungesë të terapisë.

Amedin Veseli i cili ka pësuar në një aksident ka pritur për orë të tëra në emergjencë për të marrë një tretman mjekësorë. E raste të tilla në pritje për një kontroll ishin të shumta.

Të shqetësuar nga kjo gjendje shprehet edhe stafi mjekësor i Emergjencës. Në mungesë të pajisjeve dhe terapisë, ata nuk kanë pasur mundësi t`u japin as ndihmën e parë.

Avdush Bajgora doktor në Emergjencë, tha se nuk punon rengeni.

“Nuk kemi gypa të respiratorëve, nuk kemi kanilla, nuk kemi dorëza për një përdorim, nuk kemi maska, nuk kemi kese urinare, pacientët gjithë kohën ankohen ne nuk kemi mundësi me aj dhanë as ndihmën e parë”, tha ai për televizionin publik.

Ndërsa Zyra për Informim në QKUK, përmes telefonit kanë njoftuar se përgjegjës për furnizimin me barna është Ministria e Shëndetësisë të cilëve thonë që përmes Barnatores qendrore ju kanë proceduar të gjitha ankesat e të gjitha klinikave.

RTK ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga Ministria e Shëndetësisë lidhur me mos furnizimin  me barna të klinikave të QKUK’së, por ata nuk kanë kthyer fare përgjigje.