Arbër Vllahiu nga AAK-ja ka reaguar lidhur me përdorimin e termit “kontrabandë” deputetësh dhe votash. Sipas Vllahiut, “kontrabanda” është term i gabuar sepse, siç vlerëson ai, në politikë rivalitet mund të ketë, por jo edhe armiqësi.

“Këta përfaqësojnë vullnetin e votuesve të tyre. Prandaj bisedohet me një deputet, pesë apo dhjetë. Nuk ka me pas kontrabandim por marrëveshje me deputetët e Kosovës. Mos ta mbushin opinionin e Kosovës me fjalë që nuk duhen. Ne mundemi me pas rivalitet politik, por jo armiqësi”, ka thënë Vllahiu në Rubikon të KTV-së.

Ai tutje ka folur mbi takimet e këtij koalicioni me të tjerët. Ka thënë se brenda ditës ka shumë kontakte me përfaqësues e liderë duke mos bërë të ditur emra.
Karshi kësaj ka reaguar anëtari i LDK-së, Driton Selmanaj.

Ai ritheksoi se asnjë takim zyrtar me PDK dhe atë koalicion nuk ka dhe nuk do të ketë përderisa PDK është brenda koalicionit.

“Nuk ka takime zyrtare me LDK-në dhe koalicionin LAA. Nuk e besoj që është relevante për opinionin për kontaktet tona personale por takime zyrtare nuk ka”, ka thënë Selmanaj. “Nuk ka asnjë takim zyrtar dhe nuk do të ketë asnjë”.