Në një bisedë për Gazetën Express, Mimoza Kusari tregon nëse do të kandidojë sërish në Gjakovë, ndërsa Ilir Deda tregon se a është njëri nga kandidatët e mundshëm të koalicionit LAA në Prishtinë.

Mimoza Kusari e kishte marrë me shumë bujë udhëheqjen e Gjakovës, duke e bërë këtë komunë të parën në Kosovë që drejtohet nga një grua. Ajo me entuziazëm vazhdoi qeverisjen në Gjakovë duke lënë të kuptohej se kishte fokus të madh të merrte edhe një mandat.

Në fakt, një garë në Gjakovë tashmë s’mund të mendohej pa Kusarin, por, zgjedhjet e 11 qershorit dhe kalkulimet para e pas mbajtjes së tyre ndryshuan shumëçka. Ato madje bënë bashkë sërish kryetaren e Gjakovës me AKR’në, me të cilin ishin ndarë mes shumë akuzash.

Këto zgjedhje promovuan edhe një metodë tjetër të mbledhjes së votave për partitë. Kryetarët që besonin se duheshin nga qytetarët e komunave që udhëheqin, kandiduan për deputetë, edhe pse dihej pothuajse qartë se vendet e tyre në Kuvend do t’ia linin të tjerëve.

Mirëpo, po të njëjtat zgjedhje bënë të paqartë të ardhmen politike të asaj që besonim se i takon Gjakovës.

Mimoza Kusari u zgjodh deputete, por e pakënaqur me përkrahjen modeste që mori në komunën e saj. Nga kjo, ajo më vonë bëri të ditur se do ta lë postin që bartte deri më tani, për të vazhduar punën e saj në Kuvend.

Në zgjedhjet lokale që mbahen më 22 tetor, Kusari konfirmon për Gazetën Express se Alternativa do të kandidojë në Gjakovë, me ose pa partnerët e saj, LDK’në e AKR’në.

Ajo edhe më tej nuk ka treguar se a do të garojë vetë, por thotë se ‘gjithsesi se do të kandidojmë në Gjakovë. Nuk kemi diskutuar me partnerët, por ne si Alternativë do të jemi në garë’.

Alternativa, e cila në zgjedhje mori pjesë e shkrirë në listën e LDK’së, këmbëngul që edhe përkundër përshtatjes me këtë të fundit, ata do të ruajnë identitetin e tyre politik.

Deda, i pyetur nëse emri i tij si kandidat për Prishtinës është përmendur në tavolinën e koalicionit LAA që kryeqytetin e ka garë të rëndësishme, thotë se ata nuk kanë diskutuar akoma për zgjedhjet lokale.

“Ende s’kemi diskutuar me LDK’në dhe AKR’në  për zgjedhjet lokale, ndërsa vendimet dalin vetëm nga bisedimet me ta”.

Por, jashtë koalicionit, Ilir Deda ishte përmendur si emër i mundshëm për të qenë kandidat për kryetar të Prishtinës dhe për të sfiduar bashkëpunëtorin e tij të dikurshëm në FeR dhe Vetëvendosje, Shpend Ahmetin.

Ai thotë se të gjitha këto i sheh si spekulime deri në momentin kur koalicioni LAA do të bisedojnë dhe do të marrin vendime për zgjedhjet lokale.