Rreth dy orë më parë një burrë i moshës 40 vjeç, me banim në fshatin Krutje të Fierit është mbytur në plazhin e Divjakës.

Sipas dëshmitarëve për JOQ.al, burri u fut për të shpëtuar vajzën e tij 7 vjeçe të cilën e kishte marrë rryma, e për pasojë ishte ky i fundit ai gjeti vdekjen duke shpëtuar jetën e së bijës.

“Aty është cekët, por meqë është kënetë ka rryma dhe gropa. Është vështirë të dilet, ndaj kanë vënë edhe ura”, shprehen një dëshmitar për “JOQ”.

Sipas raportimeve të njerëzve të alarmuar, ambulanca dhe policia mbërritën 2 orë pasi burri kishte ndërruar jetë. Reagimi i mjekëve dhe policëve sipas qytetarëve ishte skandaloz në një situatë të tillë.

“Sapo u mbyt një person në Divjakë rreth moshës 35 vjeç. Policia mirë që erdhi me vonesë, por polici i tha njerëzve këtu pse na sollët kot tha, thuaji të eci në këmbë. Siç duket nuk e kuptoi që kishte vdekur, kurse doktori tha për se na merrni neve? Mos është kjo policia dhe rilindja që duam.  Është për të qarë me lot gatishmëria e autoriteteve në vendin tonë për të na shërbyer.  Si transportohet i vdekuri ne plazhin e Divjakës. Madje pas 2 orësh erdhën e morën! Pas 1 ore ka ardhur policia dhe me pas ambulanca! Ka ndërruar jetë para 2 orësh gati”, thotë një tjetër dëshmitar.

Ndërkohë që njoftimi i Policisë është totalisht kontraversal me deklaratat e dëshimtarëve.

Njoftimi i Policisë

Divjakë

Informacion paraprak

Në datën 09.07.2017, rreth orës 10:30, në plazhin e Divjakës, në vendin e quajtur “Ura me dërrasa”, shtetasin E.B, 40 vjeç, banues në Krutje dhe vajzën e tij të mitur 7 vjeçe, duke u larë i ka marrë rrjedha e ujit nga pakujdesia.

Menjëherë ndërhynë shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë të cilët në bashkëpunim me pushuesit që ndodheshin aty, arritën të shpëtonin vajzën e tij të mitur.

Pas ndihmës së parë që i është dhënë babait të saj shtetasit E.B, nuk është bërë i mundur shpëtimi i tij e për pasojë ky i fundit ka ndërruar jetë.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.