Më 22 korrik Partia Demokratike do të mbajë zgjedhjet e brendshme për të zgjedhur kryetarin e ri të saj përmes parimit një anëtar, një votë.

Kandidatët tashmë janë zyrtarizuar, dhe ata janë pesë. Lideri demokrat Lulzim Basha do të ketë përballë në këtë garë, ish-kreun e PD-së, Eduard Selami, ish-kreun e grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, dhe dy anëtarët Astrit Sinanaj dhe Erion Piciri.

Pas humbjes së PD-së në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit. Kreu demokrat Lulzim Basha deklaroi ngritjen e funksioneve të tij si kryetar, duke thënë se hyn  barabartë në garën për zgjedhjet brenda partisë.

Por për Astrit Patozin, kjo garanci jepet vetëm nëse Basha do të ishte dorëhequr nga posti i drejtuesit, e duke mos pasur asnjë kontakt me selinë blu deri në mbajtjen e zgjedhjeve.

Deri më tani, Basha i delegoi drejtimin e partisë, dy nënkryetarëve Edmond Spaho dhe Edi Paloka, si dhe sekretarit të Përgjithshëm Arben Ristani.

Por edhe shpallja e 22 korrikut si datë për mbajtjen e zgjedhjeve në PD është quajtur shkelje e statusit pasi nuk ka marrë firmën e Ristanit por vetëm të dy nënkryetarëve. Sipas statusit, datën e zgjedhjeve duhet ta përcaktojë kryesia.