Bill Gates nuk është më njeriu më i pasur në botë. Vendin e tij e ka zënë Jeff Bezos, themelues dhe CEO i Amazon.

Pas rritjes së çmimeve të aksioneve të Amazon mëngjesin e së enjtes, Bezos, i cili tani “peshon” 90 miliardë dollarë, zyrtarisht u bë njeriu më i pasur në botë, sipas Time.com. Ai rrëzoi nga ‘froni’ Bill Gates-in, të cilin e la prapa për afër 500 milion dollarë.

Bezos është në pronësi të 17% të aksioneve në Amazon, vlera e të cilit ka tejkaluar shumën prej 500 miliardë dollarë. Bashkë-themeluesi i Microsoft, Bill Gates ka mbajtur pozitën njeriut më të pasur që nga viti 2013.

Bezos ka themeluar Amazon.com në vitin 1994, kur një ditë ndërsa ishte duke vozitur nga Nju Jork për në Seattle duke hartuar mënyra për plane biznesi, papritur dëgjoi lajmin për rritjen e madhe të përdorimit të internetit.

Bezos filloi biznesin e tij në një garazh. Sikurse dhe Gates, ai dëshiron të merret me punë humanitare, andaj në Twitter së fundi ka kërkuar nga miqtë e tij këshilla dhe ide si ta bëjë këtë në mënyrën më të mirë të mundur.

Gjithashtu, ai ishte një nga aksionerët e parë të Google. Në vitin 1998 ai investoi 250,000 dollarë amerikanë, duke rezultuar në më shumë se 3.3 milionë aksione. Edhe pse nuk ka zbuluar ende se sa aksione mban në Google, vlera aktuale e tyre kalon shumën prej 3.1 miliard dollarë.