Dy muaj burgim me mundësi zëvendësimi në 500 euro gjobë i janë shqiptuar Arben Pajazitit për të shtënat me armë me gas në dasmën e vëllait.

Pas pranimit të fajësisë, gjyqtarja e vetme Suzana Qerkini gjeti fajtor të akuzuarin për gjuajtjet me armë të cilat i kishte bërë gjatë një ahengu familjar.

Ai u dënua me dy muaj burgim, ndërsa me pëlqimin e palës dënimi mund t’i zëvendësohet në dënim me gjobë në shumë prej 500 euro.
Po ashtu, arma do t’i konfiskohet.

Sipas aktakuzës, Pajaziti ka përdorë armë në shkelje më ligjin e zbatueshëm lidhur me armët e tilla, kur më 25 korrik 2016 në oborrin e shtëpisë së tij në fshatin Shalë, gjatë një ahengu familjar me rastin e martesës së vëllait ka shtënë me armë revole me gaz.

Me këtë, Pajaziti ngarkohej me veprën penale përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm.

Para shpalljes së aktgjykimit, avokati i Pajazitit, Ekrem Agushi, deklaroi se të shtënat nga ana e të mbrojturit të tij kanë ardhur si rezultat i gëzimit për të vëllain.

“Në shenjë gëzimi familjar ka përdorur armën sikurse është përshkruar në aktakuzë dhe pas konsultimeve të bëra me mbrojtësin i njëjti ka pranuar fajin dhe është penduar për përdorimin e armës”, tha avokati Agushi.