Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Egjipti dhe Bahreini, që  kanë vendosur embargo ndaj Katarit njoftuan sot se kishin marrë përgjigjen e qeverisë së Dohas lidhur me 13 kërkesat e bëra dhe se në një kohë të përshtatshme do t’i përgjigjen kësaj qeverie.

Në një deklaratë të përbashkët të publikuar në agjencitë zyrtare të lajmeve të Arabisë Saudite, EBA-s, Egjiptit dhe Bahreinit thuhet se “pak para përfundimit të afatit të dhënë për Katarin për t’iu përgjigjur listës së kërkesave të dërguar nga katër shtetet në fjalë…, mbrëmë në mesnatë qeveria e Dohas ka dorëzuar përgjigjen e saj tek këto shtete”.

Ndërkaq, në deklaratë nuk është dhënë ndonjë informacion lidhur me përmbajtjen e përgjigjes së Katarit.

Ministrat e Jashtëm të Arabisë Saudite, EBA-s, Egjiptit dhe Bahreinit pritet që sot të zhvillojnë një takim në Kajro ku do të bisedojnë për hapat që do të merren në marrëdhëniet me Katarin.

Arabia Saudite, Egjipti, EBA dhe Bahreini i dërguan qeverisë së Dohas listën e kërkesave prej 13 pikash, ku kërkohet mbyllja e bazës ushtarake të Turqisë në Katar, ndërprerja e marrëdhënieve me Iranin dhe mbyllja e televizionit ”Al Jazeera”.

Afati që këto shtete i kishin dhënë Katarit për t’u përgjigjur në fillim ishte deri më 3 korrik, kurse më pas me kërkesën e Emirit të Kuvajtit u zgjat edhe për 48 orë ndërsa përfundoi mbrëmë në mesnatë.

Kriza diplomatike në Gji shpërtheu më 5 qershor, kur Arabia Saudite, Egjipti, EBA, Bahreini dhe Jemeni ndërprenë marrëdhëniet diplomatike me Katarin duke e akuzuar atë për ndërhyrjen në punët e brendshme të vendeve të tjera në rajon dhe për mbështetjen e grupeve terroriste.