Pas transferimve të Morenos dhe Rick Karsdorp, Roma ka siguruar shërbimet edhe të Lorenzo Pellegrinit.

Roma edhe zyrtarisht ka bërë të ditur se ka rikthyer në “Olimpico” Lorenzo Pellegrinin, që u transferua nga Sassuolo për 10 milionë euro, transmeton Gazeta Express.

Lojtari ishte pjesë e akademisë së romakëve para se të largohej në vitin 2015.

Trajneri i ri i Romës, Eusebio Di Francesco, e pëlqen shumë 21 vjeçarin dhe vendosi që ta rikthejë në “Olimpico” me një çmim të volitshëm, kjo edhe falë klauzolës.

“Të rikthehem në Trigoria është diçka e mrekullueshme dhe ka qenë objektivi im që kur u transferova te Sassuolo”, tha mesfushori 21 vjeçar, i cili ka nënshkruar kontratë me Romën deri në vitin 2022.