Bashkimi Evropian pret që zëvendësi i Prokurorit Publik shtetëror, Marko Zvërlevski, të jetë i pavarur dhe i besueshëm. Kështu deklaroi ambasadori i BE-së në Maqedoni, Samuel Zhbogar, pasi publikimit të disa prej kandidatëve të mundshëm për zëvendësimin e Zvërlevskit.
Qëllimi i reformave që BE-ja i kërkon nga vendi juaj kanë të bëjnë me de-partizimin dhe de-politizimin e gjyqësorit. Çështja e emërimit të prokurorit të ri të shtetit është çështje për të cilën Parlamenti i vendit tuaj do të vendosë nëse do të zgjedhë kryeprokuror të ri. Nëse Kuvendi vendos të emërojë një Prokuror të ri shtetëror, ne si BE sinqerisht shpresojmë dhe presim që ai person të jetë i pavarur, shumë profesional, me autoritet dhe me kredibilitet që të mund të udhëheq me këtë institucion – deklaroi Samuel Zbogar, ambasadori i BE-së.
Sa i përket reformave prioritare Zhbogar tha se BE-ja i sugjeron Qeverisë që të përkushtohet në zbatimin e tyre, por pa afate pasi një pjesë e tyre kërkon më shumë kohë.
Ne asnjëherë nuk kemi përmendur se shtatori është afati i fundit për qeverinë kur duhet ti dorëzojë këto reforma. Ne flasim për muajt e ardhshëm. Pastaj do të kemi parasysh se duhet të përballemi edhe me çështje më të ndërlikuara që kërkojnë më shumë kohë për tu zgjidhur, siç janë sundimi i ligjit dhe gjyqësori në përgjithësi. Ne si BE dhe komunitet ndërkombëtar në ditët e fundit vërejmë se në vend njerëzit sikur ndjejnë një lehtësim që vjen si rezultat i asaj se kriza ka përfunduar. Ne mendojmë për reforma që duhet të zbatohen në mënyrë që të kemi një gjyqësor të pavarur i cili do ti trajtojë qytetarët në mënyrë të barabartë – tha Samuel Zbogar, ambasador i BE-së.
Profesoresha universitare Gordana Siljanovska thotë se nuk është avokate e reformave radikale dhe se për atë është e nevojshme të veprohet nëpërmjet sistemit.
Reformat nuk bëhen brenda natës, kështu që isha pak e befasuar nga kërkesat ose thirrja e Hanit për rezultate deri në vjeshtë. Sidomos gjendja para zgjedhjeve qofshin ato lokale apo parlamentare është drejtuar gjithmonë drejt fushatës, se sa drejt reformave. Në gusht, askush nuk punon në botë, e as parlamentet. Në këtë rast duhet të përgatitet terreni për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe krijimin e ambientit për reforma. Disa nga lëvizjet janë tërhequr, disa do të bëhen në vijim dhe me të vërtetë shpresoj se do të ketë ndryshime – u shpreh Gordana Siljanovska, profesoreshë universitare.
Të hënën në Maqedoni vjen Komisioneri për Zgjerim Johanes Han. Qeveria tashmë ka filluar hartimin e një plani me masa për zhbllokimin e proceseve euro-integruese./Alsat-M/