Fushata elektorale për zgjedhjet e përgjithshme mbyllet të premten në mbrëmje në të gjithë Shqipërinë, për t’i hapur rrugën ditës së votimeve të dielën, më 25 qershor. Gjatë 30 ditëve të fushatës zgjedhore, 18 subjektet politikë që do të konkurrojnë në votimet e së dielës, shpalosën para elektoratit programet dhe alternativat e tyre për zhvillimin e vendit gjatë katër viteve të ardhshëm.

Mbyllja e fushatës, që sipas Kodit Zgjedhor, përfundon 24 orë para datës së zgjedhjeve, ia lë vendin heshtjes zgjedhore. Zgjedhjet e 25 qershorit do të nxjerrin 140 deputetë, të cilët do të zgjidhen me sistemin proporcional rajonal. Vendi është ndarë në 12 qarqe dhe votat do të përllogariten në mënyrë proporcionale brenda për brenda secilit qark. Të regjistruar si subjekte elektoralë janë 18 parti. Ndërkohë në këto zgjedhje forcat politike konkurrojnë të vetme dhe nuk janë grupuar në koalicione.