Ora News dhe IPR Marketing kanë publikur Exit Poll-in vetëm pak minuta pas përfundimit të procesit të votimit.

Sipas Exit Pollit, në qarkun  e Tiranës Partia Socialiste siguron nga 17-19 mandate, Partia Demokratike 11-13 mandate dhe Lëvizja Socialiste Për Integrim nga 2-4 mandate.

Në studion e Ora News  tashmë pritet të vijnë rezultatet e Exit Poll i IPR/ Marketing dhe Ora News.

Sondazhi do të jetë në rang kombëtar dhe në qarkun e Tiranës.

Të ftuar në studio me gazetaren Ilva Tare janë analistët dhe politologët Afrim Krasniqi, Dritan Hila, Blendi Çeka, Ylli Manjani dhe Artur Zheji.

Antonio Noto drejtori i IPR Marketing tha se marzhi i gabimit në sondazhin  që do të publikohet pas pak është +/-2.  Duke shpjeguar mënyrën si është zhvilluar exit polli,Noto tha se janë 250 seksione të shpërndarë në të gjithë Shqipërinë. Noto tha gjithashtu se edhe në Itali janë shtyrë votimet në 2001, për shkak të pjesëmarrjes së lartë.

Në lidhjen direkte nga Roma, Noto vlerësoi bashkëpunimin me Ora News duke vlerësuar në maksimum organizimin e punës që ka bërë Presidenti i Ora News, Ylli Ndroqi.

Organizimi ne mbare Shqiperine 

Në të gjithë Shqipërinë nga veriu në jug e nga lindja në perëndim, në zona të thella, e në zona rurale, e në qytete të mëdha në rreth 317 qendra votimi me dhjetra studentë, anketues dhe monitorues kanë mundur të mbledhin verdiktin e shqiptarëve pasi ata kanë hedhur votën e tyre në kutitë e votimit.

Exit poll i Ora News dhe IPR marketing jep rezultatin final pas pak. Për të arritur deri këtu është dashur shumë punë dhe një angazhim shumë serioz i një stafi të madh njerëzish që janë marrë me trajnime dhe me koordinimin që një sipërmarrje e tillë të japë një konkluzion sa më serioz dhe një rezultat sa më afër të vërtetës për zgjedhjet e 25 qershorit.

Gjatë gjithë ditës edhe duke i përballur shpesh herë me mosdeshirën e njerëzve për të folur dhe për të bashkëpunuar, ata falë angazhimit të tyre pas trajnimeve serioze kanë mundur të realizojnë me sukses detyrën e tyre duke kompletuar të gjithë sipërmarrjen me plotësimin e anketave dhe me përgatitjen e një materiali të plotë se nga cila anë ka anuar vota e shqiptarëve në këto votime.

Kësaj pune kolosale i mbërrin fundi pas pak kur jepen edhe rezultatet e Exit Poll-it me të cilin tashmë shqiptarët janë të mësuar.  Ne në kohë reale kemi informuar publikun për atë se çfarë po ndodh në të gjithë Shqipërinë pasi anketuesit tanë jo vetëm që plotësonin formularët e Exit Poll-it por edhe njoftonin për ecurinë e votimeve dhe situatës në qendrat e votimit ku ishin prezentë në një bashkëpunim të plotë me korrespondentë dhe gazetarët tanë të shpërndarë në të gjithë Shqipërinë .

Më shumë se 250 studentë u angazhuan në këtë përpjekje serioze me simbole lehtësisht të dallueshme. Ata u kërkuan votuesve që votën e hedhur në kutinë përkatëse ta hedhin edhe në kutitë e Exit Poll-it, si një siguri që ajo do të lexohet dhe verdikti i tyre do të marrë vlerë të shtuar.

 

 

Verdikti i shqiptarëve është përcjellë nga Ora News dhe IPR Marketing edhe në sondazhe të tjera në të kaluarën. Kjo ka ndodhur në vitin 2009, 2013 dhe 2015. Sondazhet e kryera gjatë fushatës zgjedhore dhe Exit Poll-it menjëherë pas përfundimit të votimit janë tashmë traditë e televizionet Ora Neës që prej vitit 2009 kur presidenti Ylli Ndroqi i dha udhë themelimit të insituticioneve të sondazheve edhe në Shqipëri.