Zëvendës kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë përgjegjës për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe sistemin politik, z. Hazbi Lika, sot (27.06.2017) u takua me ambasadorin e Francës në vendin tonë, z. Christian Thimonier.
Ndryshimet në pushtetin e Republikës së Maqedonisë dhe perspektiva e Marrëveshjes së Ohrit me këtë qeverisje aktuale, kanë qenë ndër temat kryesore në këtë takim të parë në mes ambasadorit Thimonier dhe zëvendëskryeministrit Lika. Duke marrë parasysh dinamikën e deritanishme të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, bashkëbiseduesit konstatuan se zbatimi i kësaj Marrëveshjeje ka hasur në vështirësi dhe tejzgjatja në kohë ka krijuar vakum në ndërtimin e mirëfilltë të raporteve mes komuniteteve, andaj u dakorduan që duhet të ketë një qasje më konkrete në zbatimin e plotë të këtij dokumenti.
Zëvendëskryeministri Lika duke e marrë për bazë Analizën e Marrëveshjes së Ohrit për kohezion social, theksoi se ka patur progres në disa shtylla si decentralizimi dhe përfaqësimi i drejtë. Mirëpo, sipas tij, çështja e përdorimit të gjuhëve vazhdon të jetë temë e hapur dhe sipas marrëveshjes për koalicionim duhet të miratohet ligj në bazë të prioriteteve dhe reformave që parashihen nga kjo qeveri.
Ndërkaq ambasadori Thimonier e uroi z. Lika për zgjedhjen e tij në postin e zëvendëskryeministrit dhe njëkohësisht shprehu gatishmëri për mbështetje të plotë për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe integrimit të vendit në strukturat euroatlantike. Ambasadori francez tha se Marrëveshja e Ohrit është bazë e krijimit të një shoqërie të barabartë dhe zbatimi i këtij dokumenti është shumë i rëndësishëm në hapërimin e vendit drejt familjes evropiane. Duke folur për shumë çështje aktuale, ambasadori theksoi mes tjerash se qeveria e re duhet të angazhohet në çështjen e përfaqësimit të drejtë, me realizimin e të cilës, shteti do të ketë një pasqyrë më të qartë për të inicuar hapa për balancim të bashkësive etnike dhe zhvillimit të mëtutjeshëm të shoqërisë multietnike.