Një zonë e tërë që i përket shekullit të tretë dhe që është krahasuar me rrënojat e lashta të Pompeit është zbuluar gjatë ndërtimit të linjës së re të metrosë në Romën fqinje.

Rrënojat e një ndërtese 1,800 vjeçare dhe një skelet qeni është zbuluar nga arkeologët që po eksplorojnë këtë pjesë të qytetit.

Arkeologët po shqyrtonin një vrimë të thellë prej 10 metrash pranë mureve të lashta aureliane, ku edhe zbuluan rrënojat e një ndërtese me dy dhoma, shkruan syri.net.Gjithashtu u zbuluan këmbët e një tavoline ose karrigeje, dy tavolina dhe disa kangjella prej druri, së bashku me disa pllaka  mozaikut të zi e të bardhë si dhe fragmente të freskëta muri.

Zbulimi, të cilin Ministria italiane e Kulturës e përshkroi si “Pompei i Romës”, u bë në fund të majit, pranë bazilikës së San Xhovanit, afër vendit ku u zbulua një kazermë e lashtë ushtarake vitin e kaluar.

“Ajo që e bën këtë gjetje të ngjashme me Pompein është se ne kemi qenë dëshmitarë të një momenti në historik”, tha Francesco Prosperetti, i cili është përgjegjës për rrënojat dhe gërmimet arkeologjike të Romës. ”

Qyteti romak i Pompeit, i vendosur pranë Napolit modern, u shkatërrua nga një shpërthim i fuqishëm vullkanik.